Bizneset tentojnë t’i mashtrojë doganierët

Ndaj kësaj metode të përdorur nga doganat kanë reaguar bizneset, të cilat nëpërmjet Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) kanë kërkuar nga doganat të rishikojë praktikat e mospranimit të vlerave të cilat i paraqesin kompanitë importuese në kufi.
Por, sipas doganierëve, të cilët janë përgjigjur nëpërmjet Fllanza Mezinit, asistente e drejtorit të përgjithshëm të Doganave të Kosovës, një gjë e tillë ende nuk është e mundur. “Ne vazhdimisht punojmë në trajnimin e stafit tonë, por edhe edukimin e taksapaguesve që të deklarojnë në mënyrë të drejtë. Një mundësi shumë e mirë që tani ekziston është edhe verifikimi i të dhënave tek vendet eksportuese, për çka Dogana e Kosovës po punon në drejtim të arritjes të sa më shumë marrëveshjeve bilaterale për shkëmbim të të dhënave me doganat e vendeve eksportuese”, ka pohuar Mezini.
Sipas raportit për vitin 2010, Dogana ka vlerësuar se 25 për qind e dokumenteve të dorëzuara kanë qenë joreale. Megjithatë, i njëjti raport dëshmon se këto rivlerësime kanë “ngarkuar” biznesin për vetëm 4 për qind të të hyrave të gjithëmbarshme që ka grumbulluar dogana, që do të thotë se 96 për qind e të hyrave janë grumbulluar nga deklarimi vullnetar, shkruan Koha Ditore.“Për të dëshmuar një gjë të tillë po ju japim të dhënat aktuale të të hyrave. Deri në ditën e djeshme janë grumbulluar 624 milionë euro, që paraqet 17.10 për qind më shumë të hyra se gjatë vitit të kaluar”, thotë Mezini.
Në dokumentin e fundit të OEAK-ut, “Agjenda e Biznesit të Kosovës 2011”, thuhet se bizneset kanë deklaruar se zyrtarët doganorë janë nën presion të Qeverisë për të rritur të hyrat buxhetore, dhe ata e shohin këtë si një prej mënyrave për shtimin e të hyrave. Por, sipas doganierëve kjo nuk qëndron. Bizneset janë ankuar se as mallrat e blera me zbritje nuk mund t’i deklarojnë në dogana. Edhe kjo mohohet nga vetë doganierët. /Telegrafi/





















































