Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim përfaqësues nga organizata joqeveritare, Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VoRAE), Drejtorin Ekzekutiv, Isak Skenderi dhe Nëndrejtoren Ekzekutive, Vesa Batalli.

Në takim u bisedua rreth zhvillimit të strategjive të përbashkëta dhe rritjes së mbështetjes për komunitetet joshumicë, me qëllim kontributin në shumë fushëveprimtari mes të cilave luftimi i diskriminimit, promovimit të aspekteve të bashkëjetesës, nxitjen e punësimit, edukimit dhe sensibilizimit për të lehtësuar gjithëpërfshirjen.

"Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se si qeveri jemi angazhuar përgjatë këtij mandati në projekte që targetojnë pozitivisht rritjen e punësimit dhe përfshirjen e minoriteteve në vendimmarrje", thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se organizata joqeveritare VoRAE promovon drejtësinë shoqërore, barazinë dhe përfshirjen institucionale të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, duke zbatuar iniciativa kombëtare dhe rajonale në fushat e arsimit, punësimit, strehimit dhe pjesëmarrjes politike, në partneritet të ngushtë edhe me donatorë dhe institucione evropiane. /Telegrafi/