BIK reagon pas arrestimit të një të dyshuari për terrorizëm: Feja nuk mund të përdoret si mjet për tradhti ndaj shtetit

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve për keqpërdorimin e fesë islame pas arrestimit të një personi që, sipas raportimeve zyrtare, dyshohet se ka qenë pjesë e organizatës terroriste ISIS dhe ka bashkëpunuar me shërbime të sigurisë të Serbisë për përhapjen e ideologjive ekstremiste në Kosovë.
Në një mesazh të udhëzuar për t’u lexuar sot gjatë ligjëratës (hytbes) në të gjitha xhamitë e vendit, BIK theksoi se ky rast përfaqëson një përpjekje për të instrumentalizuar fenë në funksion të agjendave armiqësore kundër Kosovës, fesë islame dhe rinisë kosovare.
“Ky person, në emër të fesë, për interesa të Serbisë, kishte shkuar edhe në Siri, në një luftë që prej fillimit e kemi sqaruar se nuk ka të bëjë me Islamin,” thuhet në mesazhin e BIK-ut.
Imamët u udhëzuan të përcjellin mesazhin se Islami është fe e paqes, e respektit për rendin dhe drejtësinë, dhe se asnjë formë e tradhtisë nuk përkon me vlerat islame, aq më pak përdorimi i fesë për t’i shërbyer agjendave armiqësore.
BIK bëri thirrje të qartë për vetëdijesim, sidomos në mesin e të rinjve, që të marrin mësime fetare vetëm nga imamët e autorizuar në xhamitë zyrtare dhe të shmangin platformat anonime që mund të jenë vegla propagande të qarqeve të huaja.
“Mos lejoni që askush të përdorë emrin e Zotit për qëllime të errëta dhe kundër fesë, kombit dhe shtetit tonë,” theksohet në ligjëratë, duke shtuar se dashuria për atdheun është pjesë e besimit dhe se mbështetja për shtetin është obligim fetar dhe qytetar.
Në përmbyllje, Bashkësia Islame nënvizoi rëndësinë e unitetit dhe vigjilencës për të mbrojtur fenë dhe vendin nga çfarëdo përpjekjeje për përçarje, manipulim apo ekstremizëm./Telegrafi/




































