Bie numri i aksidenteve në Ferizaj, rriten gjobat gjatë nëntorit 2025

Policia Rajonale e Ferizajt ka publikuar statistikat mujore të komunikacionit për nëntorin 2025, të cilat tregojnë një ulje të përgjithshme të aksidenteve, por njëkohësisht një rritje të numrit të gjobave të shqiptuara për shkelje të rregullave të trafikut.
Sipas të dhënave zyrtare, në rajonin e Ferizajt – që përfshin komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit – janë raportuar gjithsej 141 aksidente, nga të cilat: 59 aksidente me lëndime, ku kanë mbetur të plagosur 83 persona, 82 aksidente me dëme materiale, përcjell Telegrafi.
Në krahasim me nëntorin e vitit 2024, kur ishin raportuar 153 aksidente, prej tyre edhe një me fatalitet, statistikat e këtij viti paraqesin një ulje prej -7.80% të numrit total të aksidenteve.
Nga ana tjetër, shifrat për gjoba tregojnë trend të kundërt. Gjatë nëntorit 2025, policia ka shqiptuar: 6,340 gjoba për kundërvajtje, 140 masa mbrojtëse të heqjes së patentë-shoferit, për shkak të shkeljeve të rënda.
Krahasuar me nëntorin 2024, kur ishin shqiptuar 5,063 gjoba, numri i tyre ka shënuar një rritje prej 25.2% këtë vit.
Policia e Ferizajt ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, me qëllim të uljes së riskut të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë. /Telegrafi/

















































