Besa mposhtet nga Vardari, rrezikon seriozisht mbijetesën

Skuadra shqiptare Besa nga Dobërdolli ka pësuar humbje të rëndë në kuadër të javës së 29-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, duke u mundur në Shkup nga Vardari me rezultat 3-1. Ndeshja u zhvillua në kompleksin "Petar Milloshevski" dhe u karakterizua nga dominimi i vendasve, njofton Telegrafi.
Kapiteni i Vardarit, Goran Zakariq, ishte protagonisti kryesor duke realizuar fillimisht nga penalltia për 1-0 dhe më pas duke dyfishuar epërsinë me një gol të bukur nga distanca. Besa arriti të ngushtonte shifrat përmes Vllatko Stojanovskit, duke shpresuar për një kthesë në rezultat, por goditja e fundit erdhi nga Rogers Mato, i cili vulosi fitoren për vendasit me golin për 3-1.
Kjo disfatë e rëndon edhe më shumë situatën e Besës në tabelë, duke vështirësuar qëndrimin e saj në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut edhe për një sezon tjetër.
Java e 29-t, vazhdon nesër, ku vëmendja kryesore padyshim është e përqendruar në Tetovë, aty ku do të zhvillohet derbi shqiptar mes Shkëndijës dhe Shkupit. Një tjetër ndeshje me peshë do të zhvillohet në Kratovë, ku Sileksi pret Strugën. Gostivari, që synon një pozitë evropiane, do të jetë nikoqir i Rabotniçkit, skuadër që ka qenë e paparashikueshme këtë sezon. Me fitore, Gostivari mund të bëjë hap të madh drejt ëndrrës evropiane. Në Manastir, Pelisteri përballet me Tikveshin. Voska Sport ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga garat e mëtutjeshme në Ligën e Parë të Maqedonisë, andaj dueli që ishte planifikuar të luhet të hënën mes AP Brera dhe Voskës, do të regjistrohet me rezultat zyrtar 3-0 për ekipin nga Strumica. /Telegrafi/




















































