Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, tha sot se do t’i përgjigjet çdo thirrje nga institucionet e drejtësisë, në lidhje me hetimet që po kryhen për protestën e 21 Janarit 2011, ku katër protestues u vranë në bulevard.

Berisha tha se ende nuk i ka shkuar një fletëthirrje për 21 Janarin dhe se kjo çështje “po përdoret politikisht për propagandë”.


“Mund t’ju pohoj atë që kam thënë; i jam përgjigjur gjithë jetën time, çdo thirrje organeve të drejtësisë dhe do të përgjigjem. Do t’i përgjigjem nuk ka koment. Por ka vetëm një kusht: që unë të marr thirrjen. Unë do të shkoj në çdo rast që do të thirrem, për çdo problem nga organet e drejtësisë. E kam ligj, e kam aplikuar, zbatuar këtë gjithë jetën time.

“Dhe ata që përdorin këtë për propagandë, ata tregojnë se janë shërbëtorë mjeranë të një bande e cila vjedh ditë e natë qytetarët shqiptarë. Prej rreth 13 vitesh kjo çështje përdoret për propagandë”, tha Berisha.

Berisha the se 21 Janari “është çështje e hetuar kur unë kam qenë dhe nuk kam qenë në pushtet, por e hetuar nga armiq të egër të PD-së dhe qeverisë time, të etiketuar nga unë në mënyrën më të qartë se ç’përfaqëson. Bllokimin e hetimit, apo nëse nuk është hetuar si duhet, po nuk janë hetuar organizatorët kryesorë të saj”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha foli edhe për inceneratorët, duke e cilësuar atë “skandalin më të madh financiar të historisë së shtetit shqiptar”.

Ai akuzoi qeverinë për mbrojtjen e kompanisë Integrated Energy SPV, pavarësisht se hetimet zyrtare janë përqendruar vetëm tek ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Berisha gjithashtu hodhi akuza në drejtim të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që sipas tij “udhëhiqet nga krimi”.