Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, u ka drejtuar një mesazh strukturave dhe mbështetësve të partisë, duke i përgëzuar për atë që e ka cilësuar si sukses të arritur më 20 shkurt dhe duke bërë thirrje për mobilizim maksimal në protestën e paralajmëruar më 28 shkurt.

Në mesazhin e publikuar, Berisha thekson se ngjarja e 20 shkurtit përbën një fitore të rëndësishme në atë që ai e quan “kryengritje paqësore”.


Ai u shpreh se “dje, në një datë historike, shënuam për opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar një fitore të re tejet të çmuar për suksesin përfundimtar të kryengritjes sonë paqësore”.

Berisha ka ftuar strukturat dhe anëtarët e partisë që të angazhohen në terren për mobilizimin e qytetarëve në protestën e radhës.

“Të trokasim në çdo derë, në çdo lagje, bllok, rrugë e rrugicë, në çdo fshat e qendër pune, për të garantuar pjesëmarrjen më masive të shqiptarëve në protestën e ditës së shtunë, më datë 28 shkurt”, ka thënë ai.

Në fund të mesazhit, Berisha ka bërë thirrje për mobilizim të plotë të strukturave të partisë, duke theksuar se “kjo është përparësia jonë” dhe duke kërkuar që të mobilizohen “të gjitha forcat dhe energjitë për përmbushjen e këtij misioni”.

Mesazhi ishte drejtuar anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike, drejtuesve politikë të qarqeve, kryetarëve të degëve, deputetëve, kryetarëve dhe këshilltarëve të bashkive, anëtarëve të Këshillit Kombëtar, si dhe të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të partisë. /Telegrafi/