Ben Yedder ia dedikon golin ndaj Barcelonës, sulmuesit të zhdukur Sala: Për vëllanë tim!

Barcelona u mposht nga Sevilla me rezultat 2-0 në ndeshjen e parë të çerekfinales së Kupës së Mbretit, ndeshje e luajtur në Andaluzi.
Sevilla ka bërë një hap para në kualifikimin tutje në gjysmëfinale të Copa del Rey pas fitores në shtëpi ndaj Blaguranëve.
Në këtë fitore të Sevillas goli i parë u shënua nga Pablo Sarabia (58'), ndërsa goli i dytë erdhi nga Wissam Ben Yedder (76′) pas asistimit nga Ever Banega.
Goli i dytë përveç se siguroi fitoren e Sevillas kishte edhe diçka tjetër të veçantë.
Sulmuesi i Sevillas vendosi t'ia dedikojë golin sulmuesit të zhdukur argjentinas, Emiliano Sala.

Pas golit, Ben Yedder zhveshi fanellën e tij duke zbuluar një mbishkrim si dedikim për sulmuesin e Cardiff Cityt.
"Për vëllanë tim, forca Sala", shkruante në fanellën e zbuluar nga Ben Yedder.
Ndryshe, zhdukja e sulmuesit me aeroplan privat gjatë rikthimit te ish-klubi i tij Nantes ka bërë bujë të madhe tek sportëdashësit, të cilët po luten për të. /Telegrafi/













































