Bebe Rexha nuk është më pjesë e Warner Records, shtëpisë diskografike me të cilën ka punuar për mbi një dekadë.
Largimi i saj pason një periudhë tensioni dhe mosmarrëveshjesh të përsëritura mes tyre, shkruan The Sun.
Këngëtarja shqiptaro-amerikane, e cila bashkëpunoi me David Guetta në hitin e vitit 2022, “I’m Good (Blue)”, ishte pjesë e Warner që nga viti 2013 dhe publikoi tri albume me këtë shtëpi diskografike. Megjithatë, raportet mes palëve janë përkeqësuar vitet e fundit.
Burime nga industria muzikore kanë zbuluar se largimi është parë si një mundësi pozitive nga vetë Rexha.
“Ajo ishte shumë e zhgënjyer me drejtimin e karrierës së saj dhe kur gjërat arritën në një pikë kritike, Warner sugjeroi ndërprerjen e bashkëpunimit. Bebe vendosi të mos e kundërshtojë këtë vendim. Madje, ajo u ka thënë miqve se dëshiron të nisë nga e para dhe nuk mendonte se mund ta bënte këtë brenda Warner Records”, tha një burim i afërt.
Tashmë gjithçka është zyrtarizuar. Emri i Bebe Rexhës është hequr nga faqja zyrtare e Warner Records, dhe kompania nuk e ndjek më në Instagram – një veprim që këngëtarja e ka kthyer mbrapsht. Për më tepër, ajo ka punësuar një ekip të ri menaxhimi për të udhëhequr fazën tjetër të karrierës së saj.
Në Mbretërinë e Bashkuar, albumi i saj debutues “Expectations” i vitit 2018 arriti në vendin e 33-të të top-listave muzikore. Megjithatë, ajo ka pasur sukses të madh me disa bashkëpunime, përfshirë këngën “Meant To Be” me Florida Georgia Line, e cila ka shitur mbi dhjetë milionë kopje në ShBA dhe mban rekordin për këngën e zhanrit ‘country’ më të transmetuar në Spotify.
Nga ana tjetër, projektet e fundit nuk kanë arritur të përsërisin të njëjtin sukses. Në vitin 2023, bashkëpunimi i saj me David Guetta në këngën “One In A Million” arriti në vendin e 79-të, ndërsa “Heart Still Beating” me DJ-n britanik Nathan Dawe përfundoi në vendin e 74-të.
Verën e kaluar, Bebe shprehu pakënaqësinë e saj në platformën X (ish-Twitter), ku shkroi: “Mund të shkatërroj një pjesë të madhe të kësaj industrie. Jam e zhgënjyer. Më kanë nënvlerësuar”.
Tani, pas këtij kapitulli të mbyllur, është radha e Bebe Rexhës për të treguar fuqinë e saj në industrinë muzikore. /Telegrafi/