Barcelona fitoi në Camp Nou ndaj Manchester Unitedit me rezultat 3-0 dhe kështu u kualifikua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve me rezultat total 4-0.

Në ndeshjen e fundit mes këtyre skuadrave Lionel Messi shënoi dy gola dhe normalisht që argjentinasi ishte lojtari i ndeshjes.


Pas ndeshjes pesë herë Topi i Artë ishte fytyra e postimit të Barçës në Twitter, por nëpërmjet postimit klubi spanjoll vendosi ta thumbojë trajnerin e Djajve të Kuq, Ole Gunnar Solskjaer.

Në përshkrimin e fotografisë Barça ka shkruar: "Messi në timon", duke ditur që kori më i famshëm i tifozëve të Unitedit për trajnerin norvegjez është "Ole në timon".

Normalisht që e gjitha kjo u bë hit në rrjetet sociale nga tifozët, por edhe në mediat e mëdha sportive.

Në gjysmëfinale Barcelona do të luajë me fituesin e ndeshjes Porto-Liverpool. /Telegrafi/