LAJMI I FUNDIT:

Banorët e Durrësit rrëfejnë tmerrin e përjetuar, kosovarët i strehojnë në shtëpitë e tyre

Banorët e Durrësit rrëfejnë tmerrin e përjetuar, kosovarët i strehojnë në shtëpitë e tyre

Edhe sot, kosovarët po vazhdojnë të solidarizohen me vëllezërit e tyre në Shqipëri duke dërguar ushqim dhe gjëra të tjera të nevojshme në Durrës dhe Thumanë, vende këto të cilat u prekën më së shumti nga një tërmet që tronditi të gjithë shqiptarët.

Qysh në mëngjes me dhjetëra qytetarë të Durrësit, u sollën në Prishtinë në një hotel i cili ka hapur dyert për të gjithë ata të cilët kanë mbetur pa strehim.

Dita e djeshme ishte e tmerrshme për Shkurte Berishën nga Durrësi. Ajo e ka vështirë ta përshkruajë mëngjesin e së martës, kur një tërmet zgjoi atë dhe gjithë qytetarët e Shqipërisë.


“Nuk e di çfarë të them ka qenë një e paparë, ende jemi të tronditur, as vetë nuk e di edhe që jam këtu më duket se po më luan vendi. Kaq jam e trishtuar dhe e lodhshme, kemi parë me sytë e tonë, atë tmerrin. Një tronditje e paparë, nuk e di çfarë të them, dhe se di si ta përshkruar”, tha Berisha.

Berisha teksa rrëfen për KosovaPress, thotë se ajo me bashkëshortin e saj kanë jetuar në katin e pestë, dhe ishte e tmerrshme se si shiheshin orenditë shtëpiake duke u rrëzuar mbi ta.

“Ne ishim në kokërr të gjumit, si në katër të mëngjesit, tërmet i thash burrit tim, ky më tha mos luaj. I thashë jemi duke ikur, nuk e di çfarë të bëjmë. E kam një raft të madh, rafti ra përmbi. Agim duke bërtitur me të madhe, u bë nami, duke qarë, doja me dal, nuk dita. U mbyll dera. Ky me pizhame, zbathur ashtu si ishim, dolëm deri në orën 7 të mëngjesit”, rrëfen ajo.

Në orët e hershme të mëngjesit ajo tregon se kanë arritur në hotelin “Ora”, në Prishtinë, dhe falënderon të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët po solidarizohen me ta.

Ediola Koçllari, e cila po ashtu vjen nga Durrësi thotë se gjatë qëndrimit këtu, një qytetar i Prishtinës do i marrë për disa ditë tek familja e tij. Derisa flet për ato që kanë përjetuar gjatë ditës së djeshme, ajo thekson se e kanë pasur vështirë të dalin nga banesa ku kanë jetuar.

“Kemi parë një tmerr, na ka ndihmuar Zoti, tek familja ime është mbyllur dera edhe na kanë shpëtuar komshinjtë, se them na zuri brenda… Neve na ka rënë edhe më 21 shtator, bile edhe ai ka qenë shumë tërmet i madh dhe shumë i fortë, e kemi përjetuar edhe atë. Por, edhe për atë rast na ka ndihmuar shumë Zoti”, tregon ajo.

Vendi ku kanë jetuar, tashmë është i pabanuar dhe bashkëshorti i saj Fran Çaushi thotë se nuk kanë se ku të kthehen, andaj derisa nuk sigurojnë strehim në Durrës, do të qëndrojnë në Kosovë.

“Kush mundi me zbrit, zbriti, kush jo, ngeli u shemb edhe pallati gjashtë kate vajti dy kate nën dhe. Vdiqën dy persona, të tjerët shpëtuan… Kur ra tërmeti erdhën komshinjtë nga lartë e shtynë derën, edhe dolëm ne. U përqendruam tek stadiumi, atje u krijuan çadrat, batanijet si gjithë të tjerët, dhe na ofruan me ngrënë dhe me pi”, rrëfen ai.

Çaushi tregon se kanë qenë të afërt me dy personat, të cilët kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një pallati në Durrës.

Rreth 30 persona janë sjellë sot në hotelin “Ora”, e gjatë ditës të shumtë kanë qenë qytetarët të cilët kanë ardhur për t’i marrë në shtëpitë e tyre.

Muad Gashi, qytetar nga Prishtina tregon  se kanë paguar edhe banesë me qira, që të strehojnë dy familje.

“Bashkë me familjen kemi pasur mundësi që të marrim një banesë me qira, për t’i strehuar dy familje nga Shqipëria…E bëjmë se jemi vëllezër dhe motra, jemi një. Të paktën aq sa kemi mundësi, të bëjmë… Aq sa do të ketë nevojë besoj që do ja dalim”, tha ai.

Edhe Ramadan Mehmeti ka lëshuar komplet shtëpinë për të strehuar tetë anëtarë të një familje, të cilët sot janë sjellë në Prishtinë.

“Kontributi ynë si familje, është një shtëpi këtu në Prishtinë, i ka katër dhoma të gjumit, e kemi shprehur vullnetin që t’iu lëshojmë këtyre vëllezërve shqiptarë, se në kohën më të vështirë kur kemi qenë këta na kanë dalë zot. Edhe për atë me mund sado pak për t’ua kthyer borxhin”, tha Mehmeti.

Albert Kastrati, ish-kryetar i tifogrupit “Plisat”, nga Prishtina, i cili i është bashkuar këtij aksioni, tregon se gjatë ditës do të sjellin edhe qytetarë të tjerë me autobusë.

“Jo vetëm Prishtina, por gjitha qytetet e Kosovës edhe prej Hanit të Elezit e ka lëshuar njëri hotelin komplet, ka thënë se nëse vijnë në hotel, sa të donë mund të rrinë. Na kanë ardhur shumë njerëz që duan të lëshojnë vendet e tyre për strehim, sa që nuk e kemi pritur as ne”, tha Kastrati.

Me shqiptarët andej kufiri, po solidarizohet i madh e i vogël. Kadir Havarda, shtatëvjeçar, në sheshin “Zahir Pajaziti”, ka dhënë të holla për bashkëmoshatarët e tij, të cilët kanë mbetur pa kulm mbi kokë.

“I dorëzova disa para për tërmetin që u bë dje për shqiptarët, për Shqipërinë, se tepër m’u kanë dhimbsur”, shprehet ai.

Kushtrim Ramadani, përfaqësues i Plisave, tregon se vetëm gjatë ditës së djeshme janë ndihmuar 250 familje në Durrës,

“Mbrëmë kemi shkuar në mënyrë të organizuar, jemi nisur nga Kosova për Shqipëri. Ku në Durrës jemi takuar më qytetarët e prekur nga tërmeti në Shqipëri. Atje ju kemi siguruar 250 familjeve gjëra të ndryshme me veshmbathje, batanije, ushqim me barna higjienike, e gjëra të ndryshme. Ku i njëjti aksion vazhdon edhe sot deri në orët e vona”, thotë Ramadani.

Ai thotë se është interesim i madh i qytetarëve, të cilët po ndihmojnë qytetarët e shtetit shqiptar, të cilët janë të prekur nga tërmeti, megjithatë ka një lutje.

“Dua t’i lus qytetarët për një gjë, nëse ka mundësi, këto gjëra që po i shihni edhe vetë, i kemi edhe një herë kaq që keni për t’i dërguar sot gjatë ditës, në këto tenda druri. Por, dua t’i lus nëse ka mundësi që qytetarët të na sjellin gjëra ushqimore, konsumuese, barna, për vetëm këto rroba janë gjëra janë tepër, nuk kanë nevojë shumë për të”, tha Ramadani.

Në hotelin “Ora” në Prishtinë, gjatë ditës të prekurit nga Shqipëria kanë ardhur t’i vizitojnë edhe mjekë, psikologë dhe psikiatër për të parë gjendjen e tyre shëndetësore pas tërmetit të djeshëm në Shqipëri.

Ndryshe, kamionë të mbushur me ushqim nga Kosova gjatë ditës janë  nisur në drejtim të lokacioneve në Shqipëri ku po qëndrojnë viktimat e prekura nga tërmeti që goditi vendin një ditë më parë. Ndërkohë, në Thumanë po vazhdojnë gërmimet për personat që kanë mbetur nën gërmadha.