Balotelli pëson aksident të frikshëm me makinën mbi 100 mijë euroshe, refuzoi testin e alkoolit
Futbollisti kontrovers italian, Mario Balotelli ka pësuar një aksident me makinë të enjten mbrëma në Brescia të Italisë, gjatë të cilit ka shkatërruar makinën e vlefshme.
Balotelli ka dalë nga rruga me makinën e tij Audi Q8, me vlerë 110 mijë euro dhe është përplasur me një gardh betoni.
Sipas dëshmitarëve, Balotelli u lëkund pasi doli nga makina dhe më pas u rrëzua në tokë.
Pas pak minutash në vendin e aksidentit mbërriti ambulanca dhe policia, Balotelli nuk pranoi t'i nënshtrohej testit të alkoolit dhe në fund u konstatua se ai kaloi pa lëndime të rënda për shkak se në makinë ishin aktivizuar jastëkët e ajrit.
Gjithçka u ndoq nga vëllai i Balotellit, Enock Barwuah, i cili mori Marion dhe miqtë e tij në shtëpinë e tij në Brescia.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës së djeshme, Balotelli kritikoi publikisht ekipin italian të futbollit, i cili me shumë vështirësi u kualifikua në Kampionatin Evropian dhe gjithashtu theksoi se duhet të marrë një ftesë për në kombëtare.
Balotelli aktualisht mban fanellën e Adana Demirspor në Turqi, për të cilën ka tre gola në pesë ndeshje këtë sezon. /Telegrafi/






























