Bajrami: Qeveria tranzicionale është zgjidhja e vetme

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka theksuar se një qeveri tranzicionale është “e vetmja zgjidhje” për të dalë nga ngërçi institucional.
Këto komente ajo i bëri pas dështimit të 12-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Qeveria tranzicionale kish me zhblloku situatën komplet dhe do të konstituoheshin institucionet. Do të kishte agjendë të qartë dhe afat të caktuar kohor. Po presim përgjigje zyrtare nga liderët e partive për propozimin”, tha Bajrami.
Bajrami kritikoi Vetëvendosjen, duke thënë: “Po shihet kush po bllokon. Kur nuk i kanë numrat, nuk mund të diktojnë rrugën e të tjerëve.”
Bajrami paralajmëroi edhe për pasojat që do të sjellë liberalizimi i tregut të energjisë, ku nga 1 qershori “1270 kompani dalin në tregun e hapur” dhe kjo, sipas saj, është “fatale”.
Ajo iu përgjigj edhe akuzave nga deputetja Ganimete Musliu për mungesë guximi nga LDK-ja: “Nuk është frikë, është premtim që i kemi dhënë qytetarëve. VV-ja ka krijuar këtë hendek që është i pakalueshëm.” /Telegrafi/





















































