Bajqinovci e fton publikisht Hazirin në koalicion: Ani bre Lutë, hajde!
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i është drejtuar publikisht nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, me një ftesë për t’u bashkuar në koalicion me LVV-në.
Kjo thirrje vjen pas deklaratës së Hazirit, i cili tha se “nuk ka votë për shpërndarjen e Kuvendit”, duke theksuar se “Kosovës nuk i konvenojnë zgjedhjet në këtë kohë”.
Në reagimin e tij, Bajqinovci ironizoi qëndrimin e Hazirit, duke i kujtuar atij se LDK-ja ishte ftuar dy herë në mënyrë zyrtare për bashkëqeverisje.
“Lutfi Haziri paska deklaruar se ‘nuk kam votë për shpërndarjen e Kuvendit’. Ani bre Lutë, hajde në koalicion atëherë! Dy herë ju kemi ftuar zyrtarisht. E s’erdhët. S’jeni as për zgjedhje, as për bashkëqeverisje – për çka jeni Lutë???”, ka shkruar Bajqinovci në Facebook.
Gjykata Kushtetuese e nxori më 26 qershor një aktgjykim i cili i detyron deputetët që brenda 30 ditëve ta konstituojnë Kuvendin, por nuk dha hollësi se çfarë do të ishin pasojat në rast se afati nuk respektohet.
Osmani tha se do t’i drejtohet gjykatës nëse deputetët s'e formojnë institucionin ligjvënës së shpejti.
Seanca e thirrur për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të vazhduar me hapat e tjerë të konstituimit nuk pati sukses, për shkak të mungesës së pajtueshmërisë ndërmjet partive politike rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë për kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Prej kohësh, partitë më të mëdha, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë kundërshtuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosjes që Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, të zgjidhet në krye të Kuvendit.
Ato e kanë cilësuar Haxhiun si “figurë përçarëse” dhe i kanë kërkuar Vetëvendosjes, si fituese e zgjedhjeve, të vijë me një emër tjetër.
Pavarësisht kësaj, Vetëvendosje nuk ka hequr dorë, duke thënë se propozimi i emrit të kryetarit është e drejtë ekskluzive e fituesit të zgjedhjeve dhe se Haxhiu është kandidate meritore.
Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja, ndërsa afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit po soset./Telegrafi/





























