Babai Ervis Martinajt paraqitet në Gjykatë: Djali im u vra në Durrës

Është paraqitur për herë të parë në Gjykatë babai i Ervis Martinajt, Mustafa Martinaj këtë të hënë.
Ai u paraqit në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në procesin lidhur me pronat e të birit dhe personave të lidhur me të, por seanca dështoi për shkak të mungesës së dy prokurorëve të çështjes.
Pas daljes nga seanca, Mustafa Martinaj u pyet nga gazetarët dhe deklaroi:
“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës, si nga e di?! Jam babai pra! Dhe për këtë çështje kam dhënë shpjegime para agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit.”
I pyetur nëse ndihet i interesuar për hetimet e Prokurorisë së qytetit, ai tha: “Nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur se më ka thirrur gjykata, jam invalid, kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore.”
Mustafa Martinaj bëri këto komente jashtë kamarave, duke theksuar se ky është qëndrimi i tij dhe nuk dëshiron ta bëjë publik.
Seanca e radhës u shty me dy javë, teksa po vijon gjykimi mbi kërkesën e SPAK për konfiskimin e disa pasurive. Të pranishëm ishin edhe dy persona të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK.
Ervis Martinaj u zhduk prej gushtit të vitit 2022 dhe autoritetet nuk kanë dhënë ndonjë konfirmim zyrtar për fatin e tij që atëherë./Euronews Albania

















































