Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka treguar besimin e tij tek të rinjtë si Lamine Yamal për ta çuar klubin përpara.
Pas humbjes 5-3 të Barçës kundër Villarrealit në shtëpi në La Liga më 27 janar, Xavi njoftoi se do të largohej nga klubi në fund të sezonit. Blaugranët janë jashtë të dy kompeticioneve të kupës dhe janë tetë pikë prapa liderit Girona në La Liga.
Largimi i Xavit ka ngritur gjithashtu spekulime rreth të ardhmes së disa yjeve të famshëm. Megjithatë, spanjolli ka besim se disa nga të rinjtë do ta ndihmojnë Barcelonën të përparojë.
“Lojtarët si Lamine Yamal, Pau Cubarsi dhe Hector Fort janë e ardhmja. Ata do ta bëjnë klubin të madh përsëri”, ka thënë Xavi.
Yamal, 17 vjeç, bëri debutimin e tij për Barcelonën në prill të vitit të kaluar nën drejtimin e Xavit, pasi kaloi në akademinë e famshme të klubit La Masia. Anësori adoleshent ka impresionuar në 31 paraqitjet e tij dhe ka kontribuar me tri gola dhe pesë asistime.
Ndërkohë, Cubarsi bëri debutimin e tij për ekipin e parë në fillim muajit janar në ndeshjen e Barçës në Copa del Rey kundër Unionistas. Qendërmbrojtësi 17-vjeçar ka bërë tashmë katër paraqitje, duke u paraqitur në çdo ndeshje që nga debutimi i tij.
Hector Fort bëri debutimin e tij në humbjen 4-3 të Blaugranasëve kundër Royal Antwerp në Ligën e Kampionëve në dhjetor. Mbrojtësi i djathtë 17-vjeçar ka bërë katër paraqitje dhe gjithashtu ka dhënë një asistim. /Telegrafi/