Xhaketa e bardhë është padyshim pjesa më moderne e gardërobës për vjeshtën 2025. Zbuloni cilët modele të zgjidhni, si ta kombinoni dhe si ta vishni për t’u dukur më elegant se kurrë

Tradicionalisht, vjeshta dhe dimri lidhen me nuanca të errëta - të zeza, grafit, kaki, kafe çokollatë apo blu të thellë. Kjo paletë na përcjell çdo vit. Por, koha e ndryshimeve ka ardhur.


Ndërsa më parë veshjet e çelëta konsideroheshin të papërshtatshme për stinën e ftohtë, sot ato janë në qendër të vëmendjes. Një ndër pjesët që veçohet më shumë është pikërisht xhaketa e bardhë. Po, kërkon pak më shumë kujdes, por në këmbim i jep çdo kombinimi freski, dritë dhe një notë moderne.

Si ta zgjidhni xhaketën e bardhë perfekte për vjeshtë

Përveç të bardhës klasike, mund të orientoheni edhe drejt ngjyrës së fildishtë apo bezhës së errët, të gjitha këto janë nuanca elegante dhe të lehta për t’u kombinuar, transmeton Telegrafi.

Materiali është faktor vendimtar:

▪ për ditët me shi, zgjidhni pëlhura rezistente ndaj ujit ose lëkurë artificiale,
▪ për ditët e thata, pëlhurat me përmbajtje leshi janë ideale.

Disa këshilla për masën dhe formën:

▪ Gjatësia ideale është deri te mesi i kofshës, ofron liri lëvizjeje dhe mjaftueshëm ngrohtësi.
▪ Modelet më të shkurtra janë praktike për përditshmëri,
▪ Xhaketat më të gjata janë shpëtim për ditët më të ftohta.

Modelet që vlejnë për t’u provuar

Zgjidhni modelin që përshtatet me stilin tuaj:

▪ xhaketë me kroje të drejta dhe minimalistë,
▪ model elegant me rrip në bel,
▪ apo xhaketë të gjerë që mbetet hit i vazhdueshëm.

Këtë sezon janë në trend edhe xhaketat me jakë të ngritur ose me kapuç, që ofrojnë mbrojtje nga era dhe duken jashtëzakonisht moderne. Detajet me gëzof sintetik janë gjithashtu shumë të kërkuara, nëse zgjidhni një model me gëzof, preferohet që ngjyra të jetë në ton me xhaketën ose në kontrast shumë të butë. Ngjyrat e forta shmangen.

Si ta kombinoni

Xhaketa e bardhë është një ndër pjesët më të shumëpërdorshme të garderobës. Mund ta vishni me gjithçka, nga pantallonat klasike, deri te xhinset dhe fundet midi.

Disa ide:

▪ Për ditët me diell, provoni një dukje monokrome të bardhë, që duket e pastër dhe elegante.
▪ Për një pamje më të theksuar, kombinoni bluzë të bardhë ose këmishë me pantallona të zeza prej leshi, apo xhup të hollë dhe fund midi.
▪ Zgjidhni këpucë në ton me pantallonat, për të krijuar iluzionin e siluetës më të gjatë dhe më elegante.
▪ Për fund, shtoni një shall të butë dhe aksesorë minimalistë, kombinimi ideal i thjeshtësisë dhe stilit.

Siç shkruan “Vogue Spain”, e bardha në sezonin e ftohtë simbolizon pastërti, vetëbesim dhe stil të përjetshëm, prandaj nuk është çudi që xhaketa e bardhë po bëhet pjesa më e dëshiruar e vjeshtës 2025.


/Telegrafi/