LAJMI I FUNDIT:

Art Motion: Ofrojmë më të mirën, respektojmë ligjet dhe marrëveshjet

Art Motion: Ofrojmë më të mirën, respektojmë ligjet dhe marrëveshjet

Art Motion vlerëson se fushata e ditëve të fundit ndaj saj është plotësisht jo e drejtë dhe joetike, si e tillë e orkestruar vetëm për të dëmtuar një kompani të suksesshme.

Art Motion gjithë fushëveprimtarinë e saj e bën duke u bazuar në ligjet në fuqi në Kosovë, duke respektuar Kushtetutën dhe detyrimet e organeve rregullative mediale shtetërore dhe ndërkombëtare.

Brenda këtyre normave ligjore, ne kemi shfrytëzuar të drejtën që për shfrytëzuesit e platformës sonë të ofrojmë mbi 180 kanale televizive të cilësisë më të lartë.

Në mënyrë që pranuesit e shërbimeve tona të marrin më të mirën nga bota televizive bashkëkohore, ne ia kemi dalë që në këto kanale të kemi përmbajtje të gjerë me shumë e shumë kanale në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën angleze, gjermane, frënge, turke, italiane, serbokroate, boshnjake, sllovene etj. Mbi të gjitha, ne sot, vetëm pas një viti, kemi krijuar mbi 250 vende të reja të punës dhe ka krijuar platformën e parë televizive kosovare, me 14 kanale origjinale, përfshirë këtu ato të filmave, dokumentarëve, argëtimit, serialeve, kanalit të fëmijëve, muzikës dhe sportit.

Synim dhe përkushtim yni është që së shpejti kjo platformë origjinale e Kosovës të jetë platformë lidere në rajon.

Nisur nga këto që u thanë më sipër, ne duam të sqarojmë përfundimisht se për të gjitha kanalet që trasmetohen, pa asnjë përjashtim, Art Motion gëzon të drejtat mediale dhe në përputhje me dispozitat ligjore në Republikën e Kosovës.

Arena Sport i ka të dokumentuara të gjitha të drejtat mediale për t’i transmetuar të gjitha ngjarjet sportive të cilat i transmeton Art Motion, sipas kontratës në fuqi. Për ata që mund të mos e kenë ditur, ose edhe ata që keqinformojnë për qëllime të grupeve të caktuara të interesit, na duhet të sqarojmë se të drejtat mediale televizive shiten të ndara sipas territoreve të caktuara dhe sipas gjuhëve të caktuara, pa paragjykuar asgjë politike që mund të kenë këto territore dhe këto gjuhë, si dhe derisa këto garantohen sipas ligjeve në fuqi.

Një shembull ilustrues se si funksionon kjo mund të jetë me sa vijon: Art Motion ka blerë të drejtat e transmetimit të garave të “Formula 1” në gjuhën shqipe dhe për territorin e Kosovës, por kjo nuk e kufizon e as nuk e ndalon kanalin gjerman RTL që t’i transmetojë në gjuhën gjermane në territorin e Kosovës të njëjtën ngjarje. Kjo ndodhë për shkak se RTL i ka blerë të drejtat e transmetimit në gjuhën gjermane në të gjitha shtetet e Evropës pa dallim. Kështu, për të gjithë ata që po përpiqen të krijojnë zhurmë të panevojshme për qëllime të caktuara, do të duhej ta pyesnin veten se si paska të drejtë për shembull RTL të transmetojë në Kosovë garat e “Formula 1”, edhe pse një kompani kosovare i ka blerë këto të drejta në gjuhën shqipe, kurse Arena Sport nuk paska të drejtë t’i transmetojë ngjarjet sportive në një gjuhë të caktuar edhe në Kosovë, pasi që i ka blerë të drejtat? Nëse Arena Sport po i thyen ligjet e Kosovës, atëherë edhe RTL po i thyen ligjet e Kosovës, apo jo? Por, asnjëra nga këto nuk qëndrojnë, ngase edhe Arena Sport e edhe RTL kanë marrëveshje të ligjshme për të transmetuar në gjuhë respektive në territorin e Republikës së Kosovës, pa ia cenuar të drejtat për transmetim kompanive lokale të cilat mund t’i kenë blerë këto të drejta për transmetim në gjuhën shqipe.

Ka edhe shembuj të tjerë të ngjashëm, siç ndodhë edhe me kanalet sportive EuroSport, e cila kompani zakonisht blenë të drejtat për transmetim në gjuhë të caktuara për kontinente.

Për ta përmbledhur, e gjitha çka pamë këto ditë mund të përmblidhet me thënien “shumë zhurmë për asgjë”. Asnjë institucion sportiv që shet të drejta sportive, nuk do të lejonte që ngjarjet sportive të shfaqeshin pa të drejta, ose edhe t’i shiste ato ilegalisht, siç mund të pretendojë dikush.

Ne duam t’i sigurojmë klientët tonë, pa asnjë diskriminim, se do të vazhdojmë t’i ofrojmë kanalet më cilësore për shijet e tyre dhe në gjuhët e tyre të preferuara, duke filluar nga ato gjeneraliste, argëtuese, seriale, filmike e sportive. Art Motion po ashtu është duke sponsorizuar krijimtarinë vendore, duke mundësuar realizmin e serialit “O Sa Mirë”, ndërsa së shpejti do të fillojë edhe me “O Sa Kids”, si dhe kanalin e parë dedikuar ushqimit krejtësisht në gjuhën shqipe Gurmania Channel, me programacion 24 orë, si dhe duke realizuar transmetimin e mbi 250 ndeshjeve sportive basketbollistike anembanë Kosovës.

Përfundimisht, Art Motion është e vendosur që të ushtrojë secilin mjet juridik në dispozicion, duke filluar nga kallëzimet penale, paditë civile e deri te arbitrazhi ndërkombëtar, në mënyrë që të mbrojë të drejtën e garantuar me Kushtetutë, si dhe me legjislacionin ndërkombëtar, për zhvillimin e aktiviteteve legjitime afariste.

Për të mos lejuar cenimin e kësaj të drejte të cilën e garanton edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Art Motion tashmë ka angazhuar edhe një kompani amerikane avokatie me seli në Washington DC në SHBA.