Arsenali me fitore komode ndaj Bayer Leverkusenit kalon tutje

Arsenal ka siguruar një kualifikim të merituar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi mposhti me rezultat të pastër Bayer Leverkusen në ndeshjen kthyese, duke përmbysur barazimin 1-1 nga takimi i parë.
Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe krijoi disa raste të mira, ku Leandro Trossard dhe Ben White u ndalën nga pritjet e portierit kundërshtar.
Dominimi i londinezëve u konkretizua në minutën e 36-të, kur Eberechi Eze realizoi një supergol nga distanca, duke dërguar topin në këndin e sipërm të portës për 1-0.

Në pjesën e dytë, Arsenali vazhdoi të kontrollojë lojën, ndërsa gjermanët tentuan të reagojnë me ndryshime taktike.
Megjithatë, ishte sërish skuadra angleze që goditi, kur në minutën e 63-të Declan Rice shënoi një gol të bukur nga jashtë zone, duke dyfishuar epërsinë dhe duke i dhënë qetësi ekipit të tij.
Kai Havertz mendoi se kishte shënuar golin e tretë, por festa e tij u ndërpre pasi goli u anulua për prekje me dorë pas konsultimit të VAR.

Me këtë fitore të pastër dhe bindëse, Arsenali kalon në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke treguar formë të lartë dhe ambicie serioze për të shkuar larg në këtë kompeticion. /Telegrafi/






















































