Arsenali fiton me rezultat të thellë, rikthehet në krye të Ligës Premier

Arsenali është rikthyer te fitoret në Ligën Premier pasi ka mposhtur Brentfordin me rezultat të pastër 0-3.
Topçinjtë ishin dominues në këtë takim nga minuta e parë e deri në atë të fundit.
Serinë e golave e hapi qendërmbrojtësi William Saliba kur shënoi me kokë në minutën e 17-të për 0-1 pas asistimit nga Bukayo Saka.
Londinezët gjetën edhe golin e dytë 11 minuta më vonë, kur Granit Xhaka me një asistim fantastik e bëri Juan Jesusin të shënonte me lehtësi për 0-2.
Me epërsinë e dyfishtë të Topçinjve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Edhe pjesa dytë nisi për mrekulli për mysafirët, kur në minutën e 49-të, Vieira realizoi një gol spektakolar nga distanca për 0-3.
Deri në fund të ndeshjes Arsenali e menaxhoi mirë ndeshjen dhe mori tri pikë shumë të rëndësishme.
Pas kësaj fitore skuadra e Mikel Artetas rikthehet në krye të tabelës me 18 pikë, derisa Brentford mbetet në vendin e nëntë me nëntë pikë.
Ndeshjen e radhës Arsenali e luan në shtëpi përballë rivalit lokal Tottenham Hotspur, derisa Brentford luan në udhëtim te Bournemouth. /Telegrafi/





















































