Steven Sadettin Saran, biznesmen dhe president i Klubit Sportiv Fenerbahçe, u shoqërua në paraburgim mbrëmjen e sotme në kuadër të një hetimi për lëndë narkotike.

Saran përballet me akuza për përdorim dhe lehtësim të përdorimit të drogave, njoftoi Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit në një deklaratë me shkrim.


Sipas autoriteteve, rezultatet e testeve të Saran dolën pozitive më herët gjatë ditës, pas kryerjes së një testi droge gjatë fundjavës. Raportimet bëjnë të ditur se në një mostër floku të marrë nga Saran është zbuluar kokainë, ndërsa në analizat e gjakut, urinës dhe thonjve nuk është konstatuar asnjë substancë.

Në një deklaratë me shkrim të publikuar pasi rezultatet u bënë publike, Saran mohoi çdo përdorim të substancës.

“Nuk e kam përdorur substancën në fjalë, madje as nuk e kam parë nga afër", u shpreh ai, duke kërkuar që testi të përsëritet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Saran shtoi gjithashtu se do t’i nënshtrohet analizave edhe në institucione të pavarura të njohura ndërkombëtarisht dhe se do t’i bëjë publike rezultatet.

Ai vuri në dukje edhe rrjedhjen e informacionit nga dosja, pavarësisht urdhrit për konfidencialitet.

Saran e cilësoi si shumë serioz faktin që detaje që supozohet se i përkasin një dosjeje sekrete janë publikuar “njëkohësisht dhe në mënyrë të koordinuar” nga disa media, që në orët e para të mëngjesit, në momentin kur pretendohej se kishte dalë rezultati i testit.

“Besoj plotësisht se e vërteta do të dalë herët a vonë dhe se procesi do të përfundojë në mënyrë të drejtë dhe transparente, në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës”, ka thënë ai.

Shtëpia e Saranit u kontrollua më 19 dhjetor, në kuadër të një hetimi të gjerë për drogë që përfshin shumë persona, mes tyre gazetarë të njohur, figura të rrjeteve sociale dhe biznesmenë./Telegrafi/

telegrafi sport app