Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në pastrim parash në vlerë mbi 2 milionë euro.

Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka zhvilluar hetime ndaj gjashtë personave të dyshuar, të cilët dyshohet se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale të mashtrimit.


Të dyshuarit akuzohen se, nga viti 2015 deri në vitin 2019, kanë mashtruar qytetarë të Kosovës përmes shitjes së avio-biletave, për çka ndaj tyre janë ngritur kallëzime penale në prokuroritë përkatëse.

Gjatë hetimeve, Policia ka siguruar dëshmi se njëri nga të dyshuarit, përveç përfshirjes në mashtrime, dyshohet se ka kryer edhe pastrim parash përmes kompanive të kontrolluara prej tij.

Sipas hetimeve, këto kompani rezultojnë të jenë në pronësi të të dyshuarit të arrestuar.

Vlera e parave që dyshohet se janë pastruar përmes kësaj skeme tejkalon shumën prej 2 milionë euro.

Po ashtu, hetimet financiare kanë treguar se i dyshuari ka bërë deponime në para të gatshme mbi 800 mijë euro, për të cilat nuk është dëshmuar prejardhja dhe nuk janë justifikuar me aktivitetin e tij ekonomik të deklaruar./Telegrafi.