LAJMI I FUNDIT:

Arrestohen dy të dyshuar për tentimvrasje të avokatit Halilaj

Arrestohen dy të dyshuar për tentimvrasje të avokatit Halilaj
Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë, rast ky i ndodhur më datë 14.04.2020 në Drenas, ku ishte plagosur, Gazmend Halilaj.

Halilaj kishte postuar disa fotografi në në profilin e tij në Facebook, ku ka treguar se është plagosur para shtëpisë së tij.

Plagoset avokati Gazmend Halilaj
Lexo po ashtu Plagoset avokati Gazmend Halilaj

Ndërsa, tashmë është bërë arrestimi i të dyshuarve pas hetimeve intensive ku policia ka arritur të identifikojë njërin prej personave të dyshuar të përfshirë në rast, i cili ka qenë në kërkim policor.


“Pas identifikimit të tij, me datën 22.04.2020 rreth orës 15:30 i dyshuari  I. L., është paraqitur dhe intervistuar në polici në prezencë të avokatit të tij, më ç ’rast është dorëzuar edhe një armë, një karikator me katër fishekë, si dhe është treguar vend ndodhja e veturës së dyshuar e cila është konfiskuar”, thuhet në komunikatën e policisë.

Hetimet po ashtu kanë rezultuar se në këtë rast ka qenë i përfshirë edhe një person i dytë, i cili po ashtu u arrestua.

“Hetimet kanë rezultuar se në rast është përfshirë edhe personi i dytë i dyshuar Xh.Z., i cili është ftuar për intervistim nga ana e zyrtarëve policor, po ashtu i njëjti është paraqitur dhe intervistuar nën prezencën e avokatit mbrojtës. Edhe në këtë rast në cilësi të provave materiale janë konfiskuar një armë, një karikator dhe tre fishekë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Të gjitha veprimet hetimore janë ndërmarr në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe me aktvendim të tij të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes. /Telegrafi/