Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot ka bërë të ditur se pronarët e klubit, Fenway Sports Group (FSG), kanë paguar në tërësi kontratën e mbetur të Diogo Jotas, duke ia kaluar shumën familjes së tij, pas aksidentit tragjik me makinë në fillim të korrikut, ku humbi jetën sulmuesi portugez së bashku me vëllanë e tij, Andre Silva.

Ky veprim, të cilin Slot e përshkroi si “të rrallë në futboll”, nënvizon përkushtimin e klubit për të mbështetur gruan dhe fëmijët e Jotës në këtë periudhë të vështirë.


Me dy vite të mbetura në kontratën e tij, raportet në Portugali kishin sugjeruar më herët se FSG do ta nderonte shumën e plotë – diçka që tani është konfirmuar nga trajneri në një intervistë emocionuese për TNT Sports.

“Mënyra se si [FSG] e trajtoi këtë situatë, duke ia kaluar të gjitha paratë e kontratës gruas dhe fëmijëve të tij, është për t’u lavdëruar. Ndoshta njerëzit mendojnë se kjo është normale, por në futboll nuk është”.

Tekniku holandez foli edhe për reagimin e jashtëzakonshëm të tifozëve dhe lojtarëve të Liverpoolit pas tragjedisë.

Diogo Jota

“Dhimbja e qytetit, kjo është ajo që e bën kaq të veçantë punën në këtë klub. Mënyra si u sollën tifozët, sa shumë lule kishte, të gjitha memorialet… më prek thellë edhe tani kur e kujtoj”, shtoi ai.

Slot vlerësoi edhe qëndrimin e skuadrës gjatë funeralit të Jotas, duke pranuar vështirësinë e rikthimit në stërvitje në një moment kaq të rëndë:

“Ka çaste kur mendoj: ‘Çfarë duhet të ndiejë gruaja dhe fëmijët e tij tani?’ Sepse tingëllon shumë e rëndë… ndërkohë që jeta jonë vazhdon”.

Jota kishte edhe dy vite kontratë të mbetura, prandaj familja e tij ka marrë mbi 10 milionë funte, pasi portugezi fitonte mbi 100 mijë funte për javë./Telegrafi/

telegrafi sport app