Armand Duka i shkruan Taulant Xhakës pas pensionimit: Kontributi yt, mund të quhet “mision i përmbushur”, por ende nuk kemi lojtar për të zëvendësuar

Taulant Xhaka sot ka njoftuar se i ka dhënë fund karrierës së tij në Kombëtaren e Shqipërisë dhe këtë e ka bërë për shkak të lëndimeve që kishte në kohët e fundit si dhe shumë arsyeve personale.
Ai ndër të tjera bëri të ditur se ishte shumë krenar që e barti fanellën e kombëtares dhe premtoi se do të jetë në mbështetje të lojtarëve kuqezi në vazhdim.
Këtë njoftim e ka pritur me shumë emocione edhe i pari i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka i cili e ka falënderuar Xhakën për kontributin e tij në kombëtare.
Duka e ka quajtur “mision të përmbushur” angazhimin e Xhakës dhe ka thënë se kombëtarja momentalisht nuk ka një lojtar adekuat për ta zëvendësuar atë.
Kjo është letra e plotë e presidentit të FSHF-së Armand Duka drejtuar Taulant Xhakës:
I dashur Taulant!E lexova letrën tënde dhe më beso që më emocionoi shumë. Gjatë leximit më kalonte në mendje historia jonë në Kombëtare. Një histori lufte, përpjekjesh, triumfi dhe vuajtjesh. Një histori njerëzore në të gjitha dimensionet e saj. Ti ke qenë një motorr për ekipin, një luftëtar i vërtetë, një djalë i përkryer (në fakt, do vazhdosh të jesh por jo më si lojtar). Për fat të keq, për këtë rol, nuk e kemi një zëvendësues. Por shpresoj shumë që performanca jote gjatë këtyre viteve të shërbejë si model dhe si shembull për të gjithë futbollistët e të gjitha niveleve të ekipeve kombëtare. Edukata familjare, ajo profesionale dhe ato që përmenda më lart, u bënë bashkë, u “kapën përdore” dhe prodhuan këtë personalitet dhe njeri, këtë luftëtar dhe profesionist, që do të më mungojë.
/Telegrafi/




































