Arben Latifi, vëllai dhe pjesëtari i stafit trajnues të Ilir Latifit, thotë se vëllai i tij nuk ka kurrfarë dyshimi se do të triumfojë ndaj Corey Anderson dhe do t’ia hapë rrugën vetes drejt titullit të kampionit në kategorinë e lehtë të divizionit të peshave të rënda.
Në orët e hershme të mëngjesit të të dielës, ylli shqiptar i arteve marciale do të zhvillojë meçin ndaj kundërshtarit të tij amerikan, në kuadër të ‘UFC 232’ ‘The Forum’ në Inglewood të Kalifornisë.
“Vëllai im ndihet për mrekulli dhe është duke e pritur duelin. Kampi stërvitor ka shkuar mirë dhe mendon se është i përgatitur. Është krenar për mundësinë që i është dhënë për duelin ndaj amerikanit, i cili është një luftëtar i mirë, të cilin e respekton”, ka thënë Arbeni në një prononcim për Telegrafin.
“Në mendjen e tij nuk ka kurrfarë dyshimi se do të fitojë të shtunën (me kohën tonë të dielën, 30 dhjetor dhe pritet të fillojë rreth orës 04:30), në mënyrë që të bëjë hapin e radhës në renditje dhe t’i afrohet rripit të kampionit”.
“Ai është i nderuar dhe krenar që përfaqëson kombin shqiptar dhe vendin e tij të lindjes Suedinë”, ka deklaruar më tej Arben Latifi, i cili ka qenë një prej pionierëve të MMA-së në Suedi dhe njëherësh frymëzim për Ilirin.
“Ndodhitë e fundit dhe vendimet nga UFC-ja për ta ndryshuar lokacionin e duelit nga Las Vegasi në Los Angeles, nuk do të kenë kurrfarë ndikimi te vëllai im. Atij i vjen keq për të gjithë tifozët që kanë abonuar dhe kanë bërë plane për t’i shikuar meçet në Las Vegas”, ka shtuar ai.
Arben ‘Mbreti’ Latifi, të cilin Iliri e ka përshkruar si njeriun me më së shumti ndikim në jetën e tij, mban rripin e zi në jiu-jitsu brazilian dhe ka qenë një prej pionierëve të MMA-së në Suedi. Gjatë karrierës së tij aktive e ka fituar kampionatin ‘European Open BJJ’ dhe atë ‘Panamerican Championship’. /Telegrafi/