Vendimin për anulimin e projektit për ndërtimin e Universitetit dhe Qendrës Kulturore në Mitrovicën veriore, e kanë sjellë institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel, dhe ky vendim nuk ka asnjë lidhje me revitalizimin e urës kryesore mbi lumen Ibër në Mitrovicë, ka deklaruar të enjten shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Bashkimi Evropian, javën e kaluar ka anuluar projektet me vlerë prej 7.8 milionë euro, për shkak se autoritetet komunale të Mitrovicës veriore nuk i kanë larguar objektet e ndërtuara në mënyrë ilegale, në afërsi të hapësirës ku do të duhej të fillonin ndërtimet, gjë që ishte e domosdoshme për qasje në zonat e ndërtimit.
Gjatë një interviste me një grup të gazetarëve, Apostolova, ka thënë se kryetari i Komunës së Mitrovicës veriore, Goran Rakiq, paraprakisht kishte premtuar se do ta zgjidhë këtë çështje. Sipas saj, vendimi për anulim të projekteve nuk ka qenë i lehtë dhe ai ka pasuar pas bisedimeve të rënda. Megjithatë, siç ka thënë Apostolova, BE-ja ka procedura të caktuara, për më tepër kur bëhet fjalë për paratë e qytetarëve të Bashkimit Evropian.
“E kuptuam që ekzistojnë probleme të caktuara që ndërlidhen me këto projekte. Për tetë muaj kemi komunikuar me administratën lokale në Mitrovicën veriore. Kushti i parë për fillimin e projektit është që të krijohet mundësia për qasje në vendin, gjë që është në përgjegjësinë e Komunës që ta zgjidhë. Kryetari i Komunës ka qenë i vetëdijshëm që kjo duhet të mundësohet në muajin prill. Fatkeqësisht, në rrugën dhe në afërsi të hapësirës ekzistojnë objekte jolegale, gjë që është në përgjegjësinë e Komunës që ta zgjidhë këtë”.
“Pastaj, pasoi komunikimi me kryetarin e Komunës dhe kolegët e tij, dhe të gjithë kanë qenë të informuar se çfarë duhet të bëjnë. Fatkeqësisht, asgjë nuk është ndërmarrë. Veprimi ynë i fundit, pas skadimit të afatit, ka qenë që ta sjellim zyrtaren e lartë nga Brukseli që ta vizitojë Mitrovicën e veriut, e cila ia ka shpjeguar seriozitetin e situatës kryetarit të Komunës. Pas vazhdimit të afatit, përsëri nuk ka ndodhur asgjë. Ne ishim vënë në situatën që nuk kemi mundur asgjë të bëjmë, përveç t’i anulojmë projektet”, ka thënë Apostolova, e cila ka shtuar se vendimin e kanë mbështetur edhe ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Prishtinë.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Mitrovicës veriore, Goran Rakiq, ditë më parë ka thënë se anulimi i projekteve është bërë për shkak se përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka kërkuar nga Komuna që të mundësohet vazhdimi i revitalizimit të urës kryesore mbi lumin Ibër, “pa ndonjë garanci për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve”. Rakiq, në prill të këtij viti, ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve për revitalizimin e urës, për shkak të një varg incidentesh, të cilat siç është thënë, e rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.
Por, Apostolova, gjithashtu ka thënë se ky vendim nuk ka asnjë ndërlidhje me revitalizimin e urës, ashtu siç ka deklaruar Rakiq.
“Nuk ka asnjë lidhje ndërmjet këtyre dy projekteve me urën. Nuk ka kurrfarë ndikimi politik prapa këtij anulimi”, theksoi Apostolova.
Ndërkohë, zyrtarët e Policisë së Kosovës, patën theksuar se situata në Mitrovicë të veriut, në periudhën e fundit është e qëndrueshme dhe se nuk ka pasur incidente të mëdha.
Por, disa studentë të Universitetit serb të Mitrovicës veriore, por edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, i kanë dhënë mbështetje Rakiqit.
Nemajnja Bishevac, studenti prorektor në Universitetin serb në Mitrovicë të veriut, shpreh mendimin që vendimi i Bashkimit Evropian, nuk është i mirë as për universitetin e as për qytetin, por, siç thotë ai, bazuar në përvojat me BE-në në vitet e kaluara, ai beson në atë që e thotë kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Rakiq.
“Besoj që vetëqeverisja lokale ka bërë gjithçka që ka qenë në fuqinë e saj. Si student prorektor, kam qenë i përfshirë në këto zhvillime, sa i përket universitetit. Mendoj se versioni të cilin e ka komunikuar BE-ja nuk ka fare të bëj me të vërtetën”, tha Bishevac.
Filip Fiçoviq, student i Fakultetit Juridik në Universitetin serb në Mitrovicë të veriut, konsideron që me anulimi i projektit është humbje për studentët dhe qytetin.
“Konsideroj që BE-ja nuk ka pasur mjaft mirëkuptim për Mitrovicën, banorët e saj dhe për vetë studentët që vijnë këtu”, tha Fiqoviq.
Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Qendra për përfaqësim të kulturës demokratike, shpreh mendimin se vendimi i Rakiqit për të ndaluar punimet në urë, ka pasur bazë reale, për shkak se sipas tij, incidentet e shumta brenda një periudhe të shkurtë kohore, janë tregues i mungesës së sigurisë së qëndrueshme.
“Në këtë moment, vërtetë nuk është situatë e mirë e sigurisë edhe për shkak të zgjedhjeve të ardhshme (lokale), por edhe për shkak të mosformimit të Qeverisë, si dhe problemeve tjera. Pajtohem me kryetarin e Komunës, i cili i ka ndalur punimet në këtë moment, sepse derisa të gjendet një zgjidhje më e mirë për aspektin e sigurisë, mund të nisin problemet tjera. Prandaj, mendoj që situata e sigurisë mund të zgjidhet dhe në këtë të jetë pjesëmarrëse Policia dhe gjykatat, në mënyrë që punimet të vazhdojnë”, tha Radakoviq.
Punimet në urën kryesore mbi lumin Ibër, i cili ndodhet ndërmjet anës jugore dhe asaj veriore të qytetit, vazhdojnë të ngecin, sepse Rakiq, në prill të këtij viti, ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve, për shkak të një varg incidentesh, të cilat siç është thënë, e rrezikojnë sigurinë e qytetarëve. Ai ka kërkuar nga organet e sigurisë, vendore dhe ndërkombëtare, që ta garantojnë sigurinë e qytetarëve.
Ura, revitalizimin e të cilës e financon BE-ja, është dashur të hapet në janar të vitit 2017, por për shkak të ndërtimit të një muri mbështetës në pjesën veriore, e më pas edhe shembjen e tij, afati është zgjatur. Projekti është me vlerë prej rreth 1.5 milion euro dhe atë e përcjellë edhe shndërrimi i rrugës “Mbreti Pjetër” në zonë të këmbësorëve. /rel/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëMe inteligjencën artificiale 'jetësohen' figurat historike shqiptare
Vogel: Për sa kohë BE-ja dhe SHBA-ja e 'ledhatojnë Vuçiqin', Kosova do të jetë në rrezik
Sarajeva e para, Prishtina qyteti 15-të me ajrin më të ndotur në botë
Hoxha skeptik për formimin e qeverisë nga Albin Kurti pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, i duhet koalicioni
Ekspertët e sigurisë: Shtimi i forcave ndërkombëtare, reagim ndaj destabilizimit të mundshëm nga Serbia
Zgjedhjet në Kosovë: Kush voton e kush jo dhe pse ka rëndësi?
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Gjesti habit me deklaratën: Nëse kam aq shumë fansa, atëherë po ia fus gjumit dhe po e fitoj Big Brother-in
Pas Lojërave Olimpike, hakohen edhe faqet e Bloomberg në Facebook dhe Instagram - publikohet fotografia e Gjestit
Me inteligjencën artificiale 'jetësohen' figurat historike shqiptare
Real Madridi po ia rrëmben Barcelonës top shënjestrën nga dora
Trump deklaroi se Spanja është pjesë e BRICS, reagon qeveria spanjolle
Përfundon dueli i nëntë golave: Nga turpërimi, kalon në ngadhënjim - çfarë Barcelone!