0Shares

Filip Rudiq, Sven Milekiq dhe Mladen Lakiq

Ndërkohë që ish-Jugosllavia filloi të shpërbëhej gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990, shumë atletë të spikatur filluan të përqafonin hapur nacionalizmin.

Kjo ushte një kthesë e habitshme për yjet sportive jugosllave, duke pasur parasysh sportistë antifashistë të cilët më parë kishin dalë kundër fashizmit të mbështetur nga nazistët para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, u nderuan më parë nga jugosllavët.

Një sportist i tillë i përkushtuar antifashist ishte Bozidar ‘Bosko’ Petroviq. Në mes të viteve 1930, Bosko luante për klubin e futbollit të Jugosllavisë, por mori vesh se klubi sportiv i Beogradit, BSK, do të luante një ndeshje futbolli në Francë. Ai menjëherë anuloi kontratën e tij dhe iu bashkua BSK-së.

Por ylli i futbollit në rritje, i cili kishte luajtur edhe për ekipin kombëtar të Mbretërisë së Jugosllavisë, nuk kishte në mendje sportet kur vendosi të shkonte në Francë në dhjetor të vitit 1936.

Atë verë kishte filluar Lufta Civile spanjolle dhe Petroviq ishte më shumë sesa thjesht një atlet – ai ishte një antifashist dhe pilot i trajnuar. Sapo arriti në Paris, ai i tha lamtumirë shokëve të tij të ekipit dhe kaloi për në Spanjë duke përdorur një pasaportë të falsifikuar me emrin Fernando Garcia.

Pasi u vra në luftë vitin pasardhës, imazhi i Petroviqit u përdor në posterat e rekrutimit të Brigadave Ndërkombëtare, sipas Shoqatës së Pilotëve në Pension të Ushtrisë dhe Parashutistëve të Serbisë.

Petroviç ishte një nga shumë atletë jugosllavë që mbështetën luftën kundër të djathtës në rritje të Europës. Por pasardhësit e tyre në vendet e krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë duket se preferonin ideologjitë djathtiste.

Në vitin 2013, futbollisti kroat i lindur në Australi, Josip ‘Joe’ Simuniq, drejtoi rreth 20,000 tifozë teksa brohorisnin sloganin e lëvizjes fashiste ustashe kroate “Za dom spremni” (Gati për Atdhe).

Ai nuk u qortua nga menaxheri e tij apo nga Federata Kroate e Futbollit dhe u kritikua vetëm në nivel lokal nga media të caktuara. Mbështetja për Simuniqin në publikun kroat u nda në mënyrë të ndjeshme.

FIFA e pezulloi Simuniqin për 10 ndeshje, duke mos e lejuar atë të merrte pjesë në Kupën e Botës në Brazil në vitin 2014. Gjykata kroate e gjobiti me 660 euro, por vetëm se prishi rendin publik e jo për gjuhë urrejtjeje.

Gjendja aktuale në sportet kroate është në kontrast të thellë me veprimet historike të sprinterit Boris Hanzekoviq, i cili rrezikoi jetën e tij për të mbështetur lëvizjen e atëhershme antifashiste partizane në Zagreb, pasi ustashët e mbështetur nga nazistët erdhën në pushtet në vitin 1941.

Hanzekoviç, një ish-përfaqësues i ekipit kombëtar të Mbretërisë së Jugosllavisë dhe mbajtës i shumë rekordeve, refuzoi t’i bashkohej ekipit kombëtar të Shtetit të Pavarur të Kroacisë.

Për këtë dhe për lidhjet e tij me partizanët, Hanzekoviç u arrestua dhe u dërgua në kampin e përqendrimit në Jasenovac në vitin 1944, ku u qëllua për vdekje gjatë një përpjekjeje për t’u arratisur.

Sociologu dhe ish-drejtori i Institutit për Filozofi dhe Teori Sociale të Beogradit, Bozidar Jakshiq, thotë se rritja e nacionalizmit midis sportistëve nuk ndikohet vetëm nga shoqëria, por edhe nga drejtuesit e klubeve dhe shoqatave sportive.

“Mund të prisni gjithçka nga vende ku janë në krye njerëz si Milorad Vuceliq (presidenti i Klubit të Futbollit Partizani),” tha Jakshiq për BIRN.

Gjatë luftërave jugosllave në vitet 1990, Vuceliq ishte një anëtar i Partisë Socialiste të presidentit Sllobodan Millosheviç dhe drejtori i përgjithshëm i televizionit kombëtar të Serbisë, RTS, i cili në atë kohë njihej për përhapje të propagandës luftënxitëse kundër kombeve të tjera.

Në vitin 2012, pushteti në Serbi u mor nga Partia Progresive, e cila vinte nga aleatja ultranacionaliste e Millosheviçit, Partia Radikale Serbe. Ata krijuan një koalicion me socialistët dhe që atëherë kanë qeverisur Serbinë. Nën mandatin e tyre, Vuceliq u kthye në jetën publike, duke u bërë president i klubit shtetëror Partizan në vitin 2016.

Lidhja midis sportit dhe politikës në ish-shtetet jugosllave është e fortë, me grupe huliganësh që shkaktojnë rregullisht incidente nacionaliste.

Në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990 nacionalizmi u bë ideologjia dominuese e grupeve të ndryshme të tifozëve, përfshirë ata të klubeve më të mëdha serbe dhe kroate – Ylli i Kuq dhe Partizani nga Beogradi, Dinamo nga Zagrebi dhe Hajduk nga Spliti.

Megjithatë, nacionalizmi u përhap edhe midis atletëve, gjë që ishte e dukshme gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje dhe Hercegovinë.

Krimineli famëkeq i luftës Veselin Vlahoviq, një boksier profesionist para luftës, u dënua nga një gjykatë boshnjake me 42 vjet burg për kryerjen e shumë krimeve të luftës, përfshirë vrasje, përdhunime të shumta dhe tortura.

I njohur me pseudonimin “Përbindëshi i Grbovicës”, Vlahoviq vrau Goran Cengiqin, një ish-lojtar hendbolli nga Sarajeva dhe anëtar i ekipit kombëtar të Jugosllavisë, i cili u përpoq pa sukses të shpëtonte fqinjin e tij boshnjak nga ekzekutimi i Vlahoviçit në vitin 1992.

Gjykata e Hagës dhe gjykatat boshnjake kanë dhënë më shumë se 10 vendime fajësie kundër ish-atletëve profesionistë për krime lufte dhe gjykatat vendase ende po gjykojnë disa lojtarë futbolli dhe luftëtarë karateje që akuzohen se kanë rrahur dhe torturuar civilë dhe të burgosur lufte, sipas faqes së internetit Bosnapress.

Lufta pati ndikim edhe te klubet e futbollit. Në qytetin e Mostarit në vitin 1993, kroatët e Bosnjës dëbuan klubin lokal të futbollit Velez, duke lejuar të vinte klubi kroat Zrinjski.

Lojtarët e Velezit ishin antifashistë të spikatur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shtatëdhjetë e shtatë lojtarë dhe zyrtarë të klubit vdiqën në luftë dhe nëntë u dekoruan me Urdhrin e Heroit të Popullit të Jugosllavisë.

Në të njëjtën kohë, ekipi boshnjako-kroat Zrinjski luante në ligën e parë të futbollit në Shtetin e Pavarur të Kroacisë.

Sot grupet e tifozëve të Zrinjskit mbeten të përkushtuar ndaj politikës së djathtë dhe shumë prej tyre së fundmi nderuan kriminelin e luftës Slobodan Pralak, i cili kreu vetëvrasje pasi vendimi që e shpallte atë fajtor u konfirmua gjatë një seance dëgjimore në Gjykatën e Hagës në nëntor 2017.

Atletë me pikëpamje të djathta duket se mbeten komod në atmosferën e luftës në Ballkan pas viteve 1990.

Trajneri i basketbollit dhe ish-kapiteni i ekipit kombëtar të Serbisë, Milan Guroviç, ka një tatuazh të lideri ultranacionalist të çetnikëve të Luftës së Dytë Botërore Draza Mihailoviç, gjë që bëri që atij t’i ndalohej hyrja në Kroaci në vitin 2004.

Çetnikët ishin një lëvizje nacionaliste serbe që bashkëpunonte me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mihailoviç u ekzekutua në vitin 1946, pasi u shpall fajtor për bashkëpunim dhe krime lufte nga autoritetet jugosllave të pasluftës. Vendimi u rrëzua nga Gjykata e Lartë e Beogradit në vitin 2015.

Një tjetër ish-basketbollist serb, Darko Miliciq, një nacionalist i vetëshpallur, i cili pohon se nuk urren asnjë, ka tatuazhe të udhëheqësve çetnik Nikola Kallabiq dhe Momclo Djujiq

Në vitin 2013, Miliç mori pjesë në një event të organizuar nga Partia ultra nacionaliste e Radikalëve Serbë dhe shprehu mbështetje për liderin e saj, Vojisllav Sheshelin, i cili në atë kohë ishte në paraburgim ndërsa priste të dilte në gjyq në Gjykatën e Hagës për krime lufte, gjë për të cilën më vonë u lirua nga akuzat.

Megjithatë, jo të gjithë ish-atletët apo atletët aktivë të njohur promovuan ide nacionaliste që nga vitet 1990 e në vazhdim.

Boksieri kroat i peshave të rënda dhe fituesi i medaljes së artë olimpike Mate Parlov, që konsiderohet si një nga sportistët më të mëdhenj jugosllavë, dha mendimin e tij për nacionalizmin në një intervistë në vitin 2004: “Si mund të jem nacionalist, nëse unë jam kampioni i botës?”

Megjithatë, shumë njerëz brenda botës së sportit thonë se njerëzit që shprehin haptazi pikëpamje si Parlovi janë në pakicë dhe se klima në sport do të pengonte shumë vetë të mbanin një qëndrim kundër nacionalizmit ekstrem të djathtë.

Ish-futbollisti serb Ivan Ergiq, karriera e të cilit shtrihet nga viti 1999 deri në vitin 2011, thotë se “nacionalizmi folklorik” është i pranishëm midis lojtarëve dhe tifozëve.

“Ai është një mekanizëm për të bashkuar njerëzit midis euforisë kolektive,” tha për BIRN Ergiq, i cili luajti për ekipin kombëtar serb në Kupën e Botës FIFA 2006.

Ai beson se nacionalizmi midis lojtarëve në përgjithësi vjen nga një mungesë ndërgjegjësimi politik, pasi ata fillojnë të stërviten në moshë të vogël dhe ngecin në një atmosferë “përshtatjeje”.

“Kur jeni brenda atij kolektivi, ka një lloj presioni dhe është e vështirë të shquhesh në ndonjë lloj mënyre,” tha Ergiq.

I pyetur se çfarë do t’i ndodhte një atleti me pikëpamje antifashiste sot, Ergiq tha se ato do të hasnin “probleme të mëdha” sepse “çdo formë mospajtimi është e vështirë”.

Sociologu Jakshiq tha se një lojtar i tillë do të trajtohej si basketbollisti Alen Omiq, një boshnjak, i cili u “mirëprit” në ekipin e basketbollit Ylli i Kuq – pjesë e klubit sportiv Ylli i Kuq – nga tifozët e klubit të tij që mbanin në dorë një banderolë me sharje etnike kundër boshnjakëve në një ndeshje kundër klubit grek Olympiacos.

“Mund të pritet që sot çdo antifashist do të denoncohej në këtë vend,” tha Jakshiq. /BIRN/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)