Anisa Veseli bie pre e kamerës së fshehtë, ndonëse takohet me një "vrasës" nuk frikohet dhe as nuk e telefonon policinë

Këngëtarja e njohur Anisa Veseli ka qenë protagoniste e një situate të pazakontë, pasi ka rënë pa dijeni në qendër të një kamere të fshehtë, të realizuar nga ekipi i emisionit satirik “Piranjat”.
Ajo ishte ftuar për një darkë miqësore, e cila shumë shpejt u shndërrua në një skenar të inskenuar që testoi reagimin e saj në një moment të ngarkuar emocionalisht.
Gjithçka nisi kur Anisa, bashkë me shoqen e saj – gazetaren Edona – dhe një mik tjetër nga po i njëjti emision, po darkonin qetësisht. Gjatë bisedës, në ekran u shfaq papritur një kronikë televizive e sajuar, ku bëhej e ditur se një person ishte në kërkim nga policia si i dyshuar për një vrasje.
- YouTube youtu.be
Pak çaste më vonë, “i dyshuari”, i cili në kronikë paraqitej si i afërm i mikut që ndodhej në tavolinë, shfaqet teksa vjen në panik dhe kërkon të fshihet pikërisht tek tryeza ku po qëndronin tre miqtë. Ai madje përpiqet të fshehë edhe një thikë, duke e shtuar tensionin e situatës.
Në vend që të frikësohej apo të tërhiqej, Anisa Veseli surprizoi me reagimin e saj të qetë dhe të vendosur. Edhe pse personi para saj shfaqej si “i kërkuar”, ajo nuk u tremb, nuk bërtiti dhe nuk krijoi panik, madje nuk mendoi as të telefononte policinë.
Sipas skenarit të kamerës së fshehtë, artistja u përball me situatën me një qetësi të rrallë, duke treguar se nuk frikohet lehtë. Pasi kamera e fshehtë u zbulua, reagimi i Anisës shkaktoi të qeshura dhe reagime të shumta në rrjete sociale. /Telegrafi/



























































