LAJMI I FUNDIT:

Analistët serbë: Hill ‘diplomati buldozer’ në Beograd – vjen për shkak të Kosovës, por edhe me detyrë speciale

Analistët serbë: Hill ‘diplomati buldozer’ në Beograd – vjen për shkak të Kosovës, por edhe me detyrë speciale

Ambasadori i shumëpritur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Serbi, diplomati Christopher Hill, ia ka dorëzuar të enjten letrat kredenciale presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke filluar kështu zyrtarisht shërbimin e tij diplomatik në kryeqytetin serb.

Kur e bëri betimin, ai premtoi se “valixhja e tij nuk do të rëndohet me të kaluarën”, dhe pasi i përket plejadës së “diplomatëve të buldozerë” dhe pezulloi pensionin për të shërbyer në Beograd, pyetja është se çfarë Christopher Hill sjell në Serbi dhe çfarë vërtetë do të ketë në bagazhin e tij?

Përshpejtimi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe qetësimi i krizës në BeH do të jenë detyrat e tij kryesore në letër, por ai do të ketë edhe një detyrë tjetër të veçantë, veçanërisht aktuale që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, dhe ajo është hulumtimi i terrenit dhe shkallës së ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Serbi dhe në rajon, vlerësojnë analistët serbë për mediat “serbe”.


Kështu Hill praktikisht iu rikthye “vendit të krimit”, sepse pikërisht në kryeqytetin serb e nisi karrierën diplomatike.

Ndryshe nga paraardhësi i tij Anthony Godfrey, ai mund të mburret edhe me njohjen personale dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me presidentin amerikan Joe Biden, me ftesën e të të cilit hoqi pluhurin nga pasaporta e tij diplomatike, transmeton Telegrafi.

E gjithë kjo është një sinjal se Shtetet e Bashkuara kanë një plan ambicioz për rajonin dhe se rrethanat aktuale tregojnë se në Serbi është në një mision të veçantë: në vlugun e pushtimit rus të Ukrainës, vazhdon presioni që Serbia të përcaktohet ndaj Moskës dhe të vendos sanksione. Dialogu Kosovë-Serbi për muaj të tërë është në rrugë pa krye, dhe, siç mund të dëgjohet në qarqet diplomatike, Perëndimi nuk është i kënaqur me lidhjet e ngushta ndërmjet Serbisë dhe Republikës Serbe.

“Këto janë kohë të vështira”

Këto janë vetëm disa nga temat me të cilat Hill mund të merret, e kur bëri betimin ai bëri një premtim personal: “valixhja ime nuk do të rëndohet me të kaluarën”. Pasoi edhe vlerësimi se “nuk ka dyshim se këto janë kohë të vështira”.

“Por unë besoj se dy vendet tona mund t’i mirëpresin së bashku me një frymë dhe ton konstruktiv dhe me vetëdijen se ne kemi shumë interesa të përbashkëta”, porositi Hill.

Çfarë i sjell Serbisë në këto kohë të vështira njeriu special i Biden-it?

Suzana Grubjeshiq nga Qendra për Politikë të Jashtme thotë se Hill sjell një rol më aktiv të SHBA-së.

“Pasi e filloi karrierën e tij diplomatike në Beograd, fakti që ai po kthehet pas tre dekadash flet për rëndësinë që administrata Biden i kushton Serbisë si shtet qendror i Ballkanit Perëndimor, me të cilin Shtetet e Bashkuara planifikojnë të krijojnë një partneritet më të ngushtë në të ardhmen”, tha ajo.

Ajo gjithashtu thekson se Serbia është kyçe për zgjidhjen e pikave të krizës në rajon – çështjen e Kosovës dhe funksionalitetin e BeH, për të cilat, dhe veçanërisht për Kosovën, nuk ka pajtim me Shtetet e Bashkuara.

“Në kohën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Shtetet e Bashkuara mbështetën qëndrimin parimor të Serbisë të shprehur përmes votimit të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ambasadorit Hill nuk duhet t’i tregohet historia apo ngjarjet e së kaluarës në të cilat ai ka marrë pjesë, prandaj duhet pritur që ai të fokusohet në të ardhmen e Serbisë dhe rajonit, që do të thotë përshpejtim i integrimit evropian dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe iniciativave si Ballkani i Hapur, të cilën Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm”, vlerëson Grubjeshiq, transmeton Telegrafi.

Pyetja është edhe çfarë detyre ka marr ai nga qeveria e tij, ka thënë për “Blic” ish-diplomati Sreçko Gjukiq. Ai shton se pritshmëritë janë që Hill të jetë aktive dhe të punojë në problemet që e rëndojnë rajonin.

“Kjo në radhë të parë është çështja e Kosovës. Në seancat dëgjimore përpara Kongresit, ai lëvizi brenda kornizës standarde të një ambasadori. Pas kësaj, duhet të ketë detyra të veçanta që ai ka marrë nga kreu i Shteteve të Bashkuara dhe kreu i Departamentit të Shtetit dhe që përshtaten me tablonë që Shtetet e Bashkuara duan të krijojnë. Ai i përket plejadës së diplomatëve buldozerë të udhëhequr nga ambasadori Holbrooke. Mirëpo, kohët kanë ndryshuar dhe me to edhe Hill, dhe ai do të duhet të fillojë nga e para”, thotë Gjukiq.

Prandaj, shtoi ai, metodat diplomatike do t’i përshtat me rrethanat e reja.

“Unë besoj se është në interesin e ambasadorit Hill që ndoshta të japë një kontribut kyç për një zgjidhje paqësore dhe të bazuar në interes të ndërsjellë të paktën të një pjese të problemit”, thekson Gjukiq.

“Po vjen artileria e rëndë”

Ish-diplomati Ivo Viskoviq vlerëson gjithashtu se “artileria e rëndë e diplomacisë amerikane” po vjen, por se nuk është realiste të pritet që vërtetë të ndodhin ndryshime rrënjësore në fushat e problemeve me të cilat ai do të merret.

“Pres që ai të jetë i vetëdijshëm për këtë që në fillim, që të mos ushtrojë presione që do të ishin vërtet kundërproduktive, domethënë të mos insistojë që disa gjëra të bëhen, siç themi ne, ‘mbi gju’. Respektivisht se do të jetë më praktik sesa duket në shikim të parë. Sepse ai ka një reputacion të një diplomati shumë depërtues, por është një njeri realist dhe që mund të vlerësojë se çfarë është politikisht e mundur në një moment të caktuar dhe çfarë është optimale. Nuk pres prej tij vrazhdësi, vërshime në opinion…, por sigurisht që nuk do të jetë e lehtë me të. Ai është një njeri që ka qëndrim edhe për të cilin dihet se ka një ndikim shumë të madh në Departamentin e Shtetit, madje edhe përtej kësaj, dhe bashkëbiseduesit e tij këtu do ta kenë parasysh këtë”, shprehet Viskoviq për N1.

Hill do të jetë “sytë dhe veshët e Uashingtonit”

Hill paralajmëroi gjithashtu se Beogradit duhet t’i tregohet se Amerika ofron një model më të mirë se sa ofrojnë rusët dhe kinezët. Kurse docenti në Fakultetin e Shkencave Politike Stefan Surliq thekson se detyra e diplomatit të famshëm amerikan do të jetë të ekzaminojë shkallën e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Serbi dhe të shohë nëse është një kërcënim për interesat e politikës së jashtme të Uashingtonit.

“Me forcën e personalitetit dhe autoritetit të tij, ai do të dërgojë mesazhe të forta nga Uashingtoni në Beograd, Prishtinë dhe mbarë rajonin, do të jetë ‘sytë dhe veshët’ e administratës amerikane. Supozoj se ky është fundi i karrierës së tij dhe se ai ka një ambicie personale për të arritur një sukses të caktuar, e ai është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Surliq për Tanjug.

Ai thekson se një nga sfidat kryesore në Shtetet e Bashkuara, kur bëhet fjalë për Ballkanin, është ndikimi i vazhdueshëm i Rusisë dhe Kinës dhe beson se në kontekstin e luftës në Ukrainë, detyra e Hillit do të jetë të shqyrtojë nivelin e ndikimit të Rusisë në Serbi dhe të verifikojë nëse kjo është kërcënim për interesat e politikës së jashtme të SHBA-së.

Vlerëson se Hillit nuk duhet t’i kushtohet rëndësi që tejkalon kornizën e një diplomati të shquar, ambasadorit të një fuqie të madhe dhe dëshmitarit të kohëve të vështira të historisë së re serbe, i cili, thotë, se nuk do të marrë vendime, por do të jetë ndërmjetësues në negociata si përfaqësues i  interesave të SHBA-së në Serbi.

“Para tij janë sfida të mëdha që nuk i ka planifikuar, për shembull, pasojat e luftës në Ukrainë për Serbinë dhe rajonin. Por aty ku do të vihet re roli i tij është dialogu Kosovë-Serbi  dhe marrëveshja e tri palëve në Bosnje-Hercegovinë, ku ai pret një rol konstruktiv të Serbisë”, potencon Surliq. /Telegrafi/