LAJMI I FUNDIT:

Analistët: OBRM-PDUKM-ja vepron si në kohë monizmi

Analistët: OBRM-PDUKM-ja vepron si në kohë monizmi

OBRM-PDUKM-ja sot zyrtarisht ka filluar fushatën parazgjedhore. Si partia e vetme që do të shkojë në zgjedhjet e 5 qershorit, nga kjo parti njoftuan se nuk do të mbahen tubime të zakonshme dhe se fushata do të fillojë përnjëherë në shumë vende, ku aktivistë lokal do të takohen me qytetarë për të shpalosur programin 4-vjeçar të OBRM-PDUKM-së. Këtë hap partia në pushtet e ka ndërmarrë falë rrethanave aktuale në vend, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Megjithatë, ky vendim i OBRM-së dhe fushata e saj parazgjedhore si parti e vetme, për analistët është qasje diktatoriale. Sipas Sefer Tahirit, kjo dëshmon gjendjen në të cilën ndodhet Maqedonia.

“Mendoj se fillimi i fushatës parazgjedhore për zgjedhje në të cilat do të garojë vetëm një parti politike, dëshmon më së miri se në çfarë derexhe është Maqedonia dhe në çfarë katrahure gjendet Maqedonia si shtet dhe sistemi politik i saj dhe në përgjithësi sistemi demokratik i vendit. OBRM-PDUKM-ja tenton që me anë të këtij veprimi të bëj pazarë. Cili është pazari?! Pazari është të ruaj faljen të cilin e mori nga Presidenti Ivanov”, ka deklaruar për Tv Shenja, analisti Sefer Tahiri.


Nga ana tjetër, profesori universitar Nano Ruzhin vlerëson se OBRM-PDUKM-ja me këtë hap po e kthen Maqedoninë në kohën e ish-Jugosllavisë.

“Fillimisht, vetë fakti i daljes në zgjedhje është vullgar. Pra, vetë fakti i daljes në zgjedhje të një partie është qasje vullgare. Ky fillim i fushatës na kthen rreth 30 vjet mbrapa. Në Jugosllavinë e asaj kohe, kulturam politike ishte e asaj forme që regjimi një partiak, impononte votimin e vetëm një subjekti politik. Kjo që po ndodh sot është pothuajse i njëjti imponim, pra i kthimit mbrapa në histori për 100 hapa”, ka deklaruar profesori universitar Nano Ruzhin.

Dy vlerësuesit, Tahiri dhe Ruzhin konsiderojnë se pavarësisht abolimit, OBRM-PDUKM-ja posdeon njerëz të cilët nuk janë të denjë për të udhëhequr fushatë parazgjedhore, falë veprave penale në të cilat janë përfshirë. Sipas tyre, politikanët të përfshirë në vepra penale duhet larguar dhe përgjigjur para drejtësisë dhe se e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për partitë tjera në vend, në rast se në mesin e tyre ka persona që janë të përfshirë në vepra penale./Telegrafi/