Please enter at least 3 characters.

Zyrtare: Axel Gnapi transferohet nga Llapi te klubi rus

Klubi nga Podujeva, Llapi ka njoftuar zyrtarisht shitjen e sulmuesit Axel Gnapi te klubi rus, FC Fakel Voronezh, i cili bën pjesë në nivelin e dytë të futbollit rus.

Gjatë ditës së sotme (e premte), Llapi ka njoftuar marrëveshjen e transferimit të Gnapit te rusët e Fakel Voronezh.

“KF Llapi njofton opinionin dhe tifozët se ka arritur marrëveshje me klubin FC Fakel Voronezh për transferimin e sulmuesit, Axel Gnapi”, thuhet fillimisht në njoftimin e Llapit.

“Pas interesimit të vazhdueshëm të klubit rus, KF Llapi ka rënë dakord për kushtet e ofruara dhe ka vendosur ta lirojë futbollistin”.

“KF Llapi e vlerëson maksimalisht angazhimin dhe profesionalizmin e treguar nga Gnapi gjatë këtyre muajve dhe i uron atij shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij profesionale”, mbyllet njoftimi pa specifikuar shifrat e transferimit.

Ndryshe, Gnapi iu bashkua Llapit në korrik të vitit të kaluar nga FC Prishtina, ndërsa gjatë qëndrimit të tij te klubi llapjan u paraqit në 15 ndeshje kampionale, ku realizoi 7 gola dhe regjistroi 4 asistime.

Në anën tjetër, Fakel Voronezh zë vendin e parë në Ligën e Dytë Ruse, pasi pas 21 xhirove të zhvilluara ka mbledhur plotë 48 pikë dhe është pretendenti kryesor për t’u ngjitur në Superligë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore