Zyrtare: Arsenali transferon portierin Illan Meslier
Arsenali ka zyrtarizuar transferimin e portierit francez Illan Meslier, i cili i bashkohet klubit londinez si lojtar i lirë.
26-vjeçari vjen pas një periudhe shtatëvjeçare te Leeds United, ku zhvilloi 215 ndeshje në të gjitha garat dhe mbajti portën e paprekur në 70 raste.
Gjatë aventurës së tij në "Elland Road", Meslier regjistroi 107 paraqitje në Ligën Premier, duke fituar përvojë të konsiderueshme në elitën e futbollit anglez.
Portieri francez e nisi karrierën te Lorient, përpara se të transferohej në formë huazimi te Leeds në vitin 2019.
Pas promovimit të klubit në Ligën Premier, transferimi i tij u bë i përhershëm.
Sipas raportimeve, Meslier fillimisht do të ketë rolin e portierit të tretë në skuadrën e Mikel Artetas, megjithatë situata mund të ndryshojë në rast se Kepa Arrizabalaga vendos të largohet nga "Emirates Stadium".
Arsenali ka konfirmuar gjithashtu se Meslier do të mbajë fanellën me numrin 30 dhe do t'i bashkohet bashkëlojtarëve gjatë përgatitjeve parasezonale në qendrën stërvitore Sobha Realty Training Centre. /Telegrafi/


