Zvicra “nokauton” Kosovën pas pjesës së parë – ‘Dardanët’ pa ide në fushë
Kombëtarja e Kosovës po pëson me rezultat 4-0 ndaj Zvicrës pas 45 mintuave të para në ndeshjen që po luhet në qytetin e Bazelit.
Këto dy ekipe janë vënë përballë njëra-tjetrës në ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Zviceranët e nisën më mirë ndeshjen duke dominuar si në aspektin e posedimit të topit ashtu edhe në atë të krijimit të rasteve.
‘Helvetikët’ epërsinë e morën në minutën e 22-të me anë të Manuel Akanjit i cili me kokë realizoi për rezultatin 1-0.
Vendasit ia dolën të dyfishojnë epërsinë vetëm tre minuta më vonë, këtë herë me anë të Breel Embolos (25’) që shënoi për 2-0 pas asistimit të Dan Ndoye.
Mbrojtja e Kosovës ra sërish në minutën e 39-të kur edhe Silvan Widmer realizoi për ta çuar rezultatin në 3-0.
Se Kosova pati një paraqitje të turpshme në pjesën e parë u konfirmua në sekondat e fundit të saj kur Breel Embolo realizoi golin e tij të dytë personal dhe të katërtin për Zvicrën (4-0)./Telegrafi/


