Please enter at least 3 characters.

Zonja e Parë e Francës, Brigitte Macron rezulton e regjistruar me emrin Jean-Miche në llogarinë e tatimeve, duke i bërë akoma më shumë jehonë teorive konspirative se ajo ka lindur mashkull

Associated Press

Thashethemet se Brigitte Macron ka lindur si mashkull kanë pasur pasoja të rënda për të dhe familjen e saj. Në një fragment të publikuar në platformën X, drejtori i kabinetit të Zonjës së Parë të Francës ka kujtuar një moment të pazakontë që ndodhi kur ajo po përpiqej të hynte në llogarinë e saj personale në faqen zyrtare të tatimeve franceze.

Prej disa muajsh, Brigitte Macron është përballur me thashetheme të vazhdueshme që vënë në dyshim gjininë e saj. Sipas këtyre teorive konspirative, ajo ka lindur si mashkull, me emrin Jean-Michel Trogneux. Këto pretendime, që u përhapën deri në Shtetet e Bashkuara, u përforcuan nga komentatorja amerikane e ekstremit të djathtë, Candace Owens, e cila ka përsëritur disa herë publikisht këtë akuzë pa prova, shkruan e përditshmja franceze Voici.fr.

Në korrik të këtij viti, çifti presidencial francez vendosi të padisë Owens, duke e akuzuar për shpifje dhe për “mosrespektim të provave të besueshme që kundërshtojnë plotësisht pretendimet e saj, vetëm për të dhënë hapësirë për teori konspirative dhe shpifës të njohur”.

Në dokumentarin “Ligne Rouge”, që do të transmetohet të dielën më 26 tetor 2025 në BFMTV, drejtori i kabinetit të Brigitte Macron, Tristan Bromet, ka ndarë një episod befasues.

Ai ka treguar se një ditë, në Pallatin Elysee, zonja Macron tentoi të hynte në faqen e saj personale të tatimeve, por u trondit kur pa se sistemi e kishte regjistruar si “Jean-Michel, e quajtur Brigitte Macron”.

“U habitëm të gjithë”, rrëfeu Bromet. “E përsërita procedurën bashkë me të, dhe po – shfaqej saktësisht ashtu. Ishte një pjesë e pandryshueshme e identifikuesit të saj personal”.

Gazeta Le Figaro ka raportuar se kjo situatë nuk ka prekur vetëm Zonjën e Parë, por edhe familjen e saj. Vëllai i Brigitte Macron, Jean-Michel Trogneux, ka marrë shpesh vizita të padëshiruara në shtëpinë e tij në Amiens, si pasojë e këtyre thashethemeve.

Në shtator, çifti Macron njoftoi se do të paraqesë prova shkencore në procesin gjyqësor kundër Candace Owens, për të dëshmuar njëherë e përgjithmonë se Brigitte Macron ka lindur femër. A do të mjaftojë kjo për t’i dhënë fund thashethemeve që kanë ndjekur për muaj me radhë Zonjën e Parë të Francës? Mbetet për t’u parë… /Telegrafi/