Zjarrfikësi Kaqun Lima vdes në detyrë, Sveçla ngushëllon familjen e të ndjerit
Një ngjarje tragjike ka ndodhur të martën pasdite në fshatin Mejë të Gjakovës, ku ka humbur jetën zjarrfikësi Kaqun Lima, shef i Operativës në Brigadën e Zjarrfikësve të Gjakovës.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku ka shkruar se zjarrfikësi ka humbur jetën në krye të detyrës, transmeton Telegrafi.
"Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Komandantit të Togut në Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Kaqun Lima. Ai humbi jetën në krye të detyrës, duke shërbyer me guxim dhe përkushtim për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve tanë. Përkushtimi i tij në detyrë do të mbetet shembull për kolegët e tij, për humanizmin dhe sakrificën në shërbim", ka shkruar Sveçla.
Sveçla ka shprehur ngushëllime familjes Lima, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe patin fatin të punojnë me të.
"U prehtë në paqe", shkroi ai në Facebook./Telegrafi/


