Please enter at least 3 characters.

Zgjedhjet janë të shenjta!

Po afron data e zgjedhjeve të pushtetit vendor në Kosovë, megjithëse nga fushata elektorale jemi përfshirë që disa kohë.

Përpos kandidatëve të shumtë dhe premtimeve të tyre të jashtëzakonshme, që shpesh herë bëhen edhe të çuditshme, në opinionin publik në Kosovë, dominon edhe kërkesa tashmë e artikuluar në dhjetëra mënyra; që zgjedhjet të mbahen të drejta, të mos cenohen dhe të respektohen.

Për këtë çështje duhet ngritur zërin të gjithë ne, duke kërkuar me këmbëngulje zgjedhje të pastra dhe të pa diskutueshme, sepse partizanëve të partive politike natyrisht që do tu jetë i madh tundimi për t’i ndryshuar ato në favor të njërit apo tjetrit subjekt politik, por diçka e tillë nuk guxon të ndodhë, pa çka se këto janë zgjedhjet e para që shteti ynë i ri i pavarur i organizon.

Arsyet për zgjedhje të ndershme dhe të drejta janë të shumta. Së pari duhet pasur parasysh se bashkësia ndërkombëtare po na vëren me interesim të madh. Krahu i vendeve që kanë njohur Kosovën, do të lumturohen shumë po që se ato dalin të drejta dhe të pa kontestueshme, kurse krahu i vendeve kundër Kosovës, do të lumturohen edhe më shumë po që se zgjedhjet, shpallen, deklarohen apo cilësohen të cënuara.

Ky do të ishte ujë në arën e atyre, që mezi nuk po presin të shohin mjegull mbi Kosovë.

Çështja e dytë ka të bëj me stabilitetin e gjithmbarshëm politik. N qoftë se zgjedhjet janë të pa kontestueshme dhe të drejta, investitorë potencial ndërkombëtare mund të vendosin që të sjellin biznesin e tyre në vend pasi që zgjedhjet si referendum politik dhe qytetarë, treguan se ky vend paska kuptuar formulën e bërjes së shtetit në bazat e tregut të lirë dhe demokracisë liberale.

Dhe çështja e tretë, ka të bëj me vet demokracinë në Kosovë. Të gjithë jemi dëshmitarë se qysh nga zgjedhjet e para të pas çlirimit mbajtur gjatë vitit 2002, numri i votuesve në Kosovë ka ra ndjeshëm.

Sikur zgjedhjet të kontestohen dhe të shpallen të pa pranueshme, bezdia e qytetarëve do të rritet edhe më shumë, sepse ata do të mendojnë me plot të drejtë se pikërisht vota e tyre është tjetërsuar, dhe është keqpërdorur, ashtu që cytja e qytetarëve për të marrë pjesë prapë në zgjedhje të ardhshme do të jetë minimale, nga frika se mos prapë, vota e tyre po manipulohet, dhe se demokracia po imponohet.

Shih për këtë, duhet që me çdo kusht ti mbrojmë zgjedhjet që të mos dëmtohen, dhe të duhet që të dalim sa më shumë në votime, veprimi në të kundërt do të kishte pasoja katastrofike për mbështetjen ndërkombëtare të Kosovës, dhe zhvillimin e mëtejmë të demokracisë së brendshme në Kosovë.

(Autori është ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Glasgoë, Britani e Madhe)