Please enter at least 3 characters.

Zëri që pushtoi botën, por s‘mbajti koncert solistik në Prishtinë

Të gjithë e njohin si “Bilbili i Kosovës”, e sa herë flasim për të mendja na shkon te zëri i saj që theu barriera të pafundme, te Baresha që jeton nëpër dekada e te madhështia e saj artistike që mbushi sallat botërore.

Anda Rugova

Ata që patën fatin ta njohin nga afër, përtej dritave të skenës, shpalosin një tjetër dimension të Nexhmijes: atë të një shpirti të thjeshtë, që shndërronte çdo kafe në një bisedë filozofike dhe shtëpinë e saj në një strehë ngrohtësie për miqtë e dashamirët.

Flasim për gruan që na mësoi se si të duam këngën e bukur shqipe, artin e kulturën.Për Nexhmijen që këndonte në vende që as nuk ia kishin idenë se ku ndodhej Kosova.

Për shkrimtarin Fahredin Shehu, mikun e saj ajo nuk ishte vetëm një ikonë e këngës, por ishte një frymëzim kreativ.

Ata të dy ndanin pasionin e njejtë, artin e kulturën. Në banesën e saj, aty ku shpesh ata takoheshin e diskutonin për orë të tëra, ajo hiqte petkun e artistes së skenës, që me zërin e saj, si sibilat magjepste këdo që e dëgjonte.

Aty ajo ishte mikesha që ziente kafenë, i ofronte mikpritjen e ngrohtë dhe strehën e saj - shtëpinë e shndërruar në tempull të miqësisë, përherë e hapur për miqtë e afërt e dashamirët e shumtë.

Në ato takime, Nexhmija ishte një grua e çiltër me një zemër të madhe, e me një kreativitet që mbërrinte deri në nivelin fëmijëror, shprehet Shehu duke kujtuar orët e gjata të bisedave për artin, kulturën, muzikën dhe humorin, të cilat për të ishin pa mbarim.

Foto: Fahredin Shehu

Në përditshmërinë e saj Nexhmija gjente kënaqësi në gjërat e vogla e të rëndomta të jetës.

Ajo ishte një adhuruese e madhe e kafesë dhe e ushqimeve tradicionale.

I pëlqente gatimet shtëpiake, shijonte pitet, fasulin e perimet e fërguara, ushqime këto larg luksit që yjet si ajo i gëzonin.

Ajo ishte person që dinte të dhuronte shumë dashuri dhe ishte shumë e afërt me njerëzit që e rrethonin. Për vëllezërit e saj, një krahë i fuqishëm në të cilin gjetën mbështetje gjithmonë ashtu si edhe një burim dashurie e mirëkuptimi me kunatën e saj.

Lule Pagarusha, e përshkruan raportin mes tyre. Ajo rrëfen se ato ishin të lidhura emocionalisht si një nënë e bijë, si motra e për më tepër edhe si mike të vërteta, që i besonin njëra tjerës e flisnin hapur për gjithçka.

“Nexhmija në skenë ishte një yll, por në shtëpi ishte një grua e thjeshtë që falte shumë dashuri”, thotë Lulja.

E magjishme në skenë, e dashur në familje, zemërhapur me miq, por brenda asaj bote prej gruaje artiste fshihej një rrugëtim i gjatë e i vështirë deri te suksesi që vulosi përjetësisht emrin e saj në këngën shqipe.

Karakteri i saj njerëzor u ndërtua edhe mbi plagët e së shkuarës.

“Ajo shpesh evokonte vuajtjet e fillimeve të karrierës së saj, kohë kur paragjykimet shoqërore ishin një mur i lart për tu kapërcyer, e që vetëm forca e karakterit të saj mund ti thyente fuqishëm”, rrëfen Lulja.

Luftën kundër paragjykimeve nuk e bëri e vetme. Mbështetjen më të madhe e fitoi nga familja e saj e posaqërisht nga babai iluminist.

Ishte babai Veseli, ai që Nexhmijen e shtyu drejt një rrugëtimi me shumë sfida, dhe ai ishte shtysa kryesore që Nexhmija arriti të ndërtojë karrierën e saj të sukseshme.

Por “fajtor” për suksesin e saj është edhe i vëllai, Tariku, me të cilin ajo mbajti një raport shumë të ngushtë. Kjo ndoshta edhe për faktin se Tariku ishte i vetmi vëlla që jetonte në Kosovë. Edhe përkundër diferencës në moshë, ai ishte engjëlli i saj rojëtar i cili i qëndroi pranë deri në fund të jetës.

Nexhmije Pagarusha qe një ndër të parat femra që dolën në skenën muzikore në atë kohë.

Në vitin 1948 ajo bëri daljen e parë kur këndoi në Radio Prishtina. Një vajzë e re që vinte nga një fshat i vogël i quajtur Pagarushë, për të thyer kufijtë e së pamundurës.

Një vajzë me ëndrra të mëdha, përkrahje të pafund nga familja e ngushtë, realizoi ëndrrën duke pushtuar metropolet e botës me zërin e saj.

Dhe u shëndrrua në hyjneshë të këngës shqipe.

Ajo la pas vetës një thesar kulturor, me një opus të gjerë prej 88 këngësh e 5 albume.

Gjatë 40 viteve karrierë këndoi në koncerte me shumë skena të botës, por një gjë i mbet peng vëllaut të Nexhmijes se nuk realizoi një koncert solistik në Prishtinë, në qytetin që ajo jetoi.

E Lules i mungon zëri, bisedat dhe prania e saj por në muralin e vendosur në Prishtinë, Nexhmija duket më e gjallë se kurrë. Murali me portretin e saj të buzëqeshur në zonën që njihet “tek pishat”, sipas autorëve të muralit është shenjë falenderimi pasi ajo para se “të jetë një ikonë e muzikës, është një grua zëri i së cilës jehonte në kohët kur gruaja shqiptare shuhej”.

Përjetësimi i portretit të saj në një mural do të ruaj kujtimin e përhershëm për të. Ashtu si edhe këngët e saj që dëgjohen në kafenetë afër ndërtesës ku është vendosur murali, por edhe në vendlindjen e saj në Pagarushë.

Në kompleksin memorial në fshatin e saj të lindjes, të ndërtuar me përkrahjen e komunës së Malishevës, fshatit dhe mërgatës ndodhet busti i saj i punuar nga skulptori Agon Qosa. Banorët e fshatit ndihen shumë krenar me arritjet e saj e aq më tepër që ajo vinte nga Pagarusha.

Përveç se në fshatin e lindjes, emri i saj është nderuar edhe në një rrugë të qytetit të Rahovecit.

Për të nderuar kujtimin për të, edhe gjashtë vite pas vdekjes organizohen shumë ngjarje kulturore. Këngët e saj këndohen nga artistë të ndryshëm, zëri i saj jehon në ngjarje poetike, shfaqje baleti e opere.

Ata të gjithë thonë se ishte Nexhmija ajo që shtroi rrugën drejt një epoke të re të muzikës shqiptare.

E nderuar me çmimin “Artiste e Merituar” nga Presidenca e Kosovës,” Nderi i Kombit” nga Presidenca Shqiptare, e shumë çmime të tjera, ajo nuk u nderua vetëm nga shqiptarët, por edhe të huajt. Më 2018, ajo u vlerësua edhe me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan Donald Trump.

Çdo mirënjohje, çdo mural, kompleks memorial e emër rruge nuk mjafton për të shprehur mirënjohje për kontributin që ajo dha për këngën dhe vendin e saj.

Shënim: Autorja është studente në Departamentin e Gazetarisë në UP. Teksti është shkruar në kuadër të lëndës “Zhanret e gazetarisë”.