Zelensky tregon çfarë e konsideron një fitore për Ukrainën
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky beson se fitorja për Ukrainën do të thotë mbijetesa e saj si shtet i pavarur.
Këto komente i bëri Zelensky gjatë një intervistë me ABC News, kur u pyet se si duket fitorja për vendin e tij, transmeton Telegrafi.
"Qëllimi i Putinit është të pushtojë Ukrainën. [Putin] dëshiron, sigurisht, të na pushtojë plotësisht. Për të, kjo është fitore. Dhe derisa ai nuk mund ta bëjë këtë, fitorja është në anën tonë”, shtoi lideri ukrainas.
“Prandaj, për ne mbijetesa është një fitore. Sepse ne po mbijetojmë me identitetin tonë, me vendin tonë, me pavarësinë tonë", theksoi ndër tjera.
Zelensky shprehu gjithashtu pikëpamjen se takimi midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe sundimtarit rus Vladimir Putin në Alaska, i kishte dhënë udhëheqësit rus atë që donte.
"Është për të ardhur keq që Ukraina nuk ishte atje, sepse mendoj se presidenti Trump i dha Putinit atë që donte. Ai donte shumë të takohej me presidentin Trump, me presidentin e Shteteve të Bashkuara. Dhe unë mendoj se, dhe mendoj se Putini e mori atë", tha presidenti ukrainas. /Telegrafi/


