Zelensky për vjedhjen e grurit ukrainas që u dërgua nga Rusia në Izrael: po hartohen sanksione
Presidenti Volodymyr Zelensky e ka qortuar Izraelin për pranimin e anijeve që transportojnë drithëra ukrainase të vjedhura nga Rusia, dhe ka premtuar të vendosë sanksione ndaj të gjithë atyre që janë të përfshirë.
"Në çdo vend normal, blerja e mallrave të vjedhura është një akt që sjell përgjegjësi ligjore. Kjo vlen, veçanërisht, për drithërat e vjedhura nga Rusia. Një anije tjetër që transporton drithëra të tillë ka mbërritur në një port në Izrael dhe po përgatitet të shkarkojë. Ky nuk është - dhe nuk mund të jetë - një biznes i ligjshëm. Autoritetet izraelite nuk mund të mos jenë në dijeni se cilat anije po mbërrijnë në portet e vendit dhe çfarë ngarkese po transportojnë", shtoi ai.
Zelensky tha se Rusia po sekuestron vazhdimisht drithëra nga territori i pushtuar i Ukrainës dhe po e eksporton atë, transmeton Telegrafi.
"Skema të tilla shkelin ligjet e vetë shtetit të Izraelit. Ukraina ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm përmes kanaleve diplomatike për të parandaluar incidente të tilla. Megjithatë, ne shohim se një anije tjetër e tillë nuk është ndaluar. Unë kam udhëzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Ukrainës të informojë të gjithë partnerët e shtetit tonë për situatën", theksoi presidenti ukrainas.
Zelensky gjithashtu bëri të ditur se, bazuar në të dhënat e inteligjencës ukrainase, Kievi po përgatit një paketë sanksionesh që synon jo vetëm ata që transportojnë drejtpërdrejt grurin, por edhe "individët dhe subjektet ligjore që përpiqen të përfitojnë nga kjo skemë kriminale".
Ai tha se Ukraina po koordinohet gjithashtu me partnerët e saj evropianë për të siguruar që këta individë të përfshihen në regjimet evropiane të sanksioneve.
"Ukraina mbështetet në partneritet dhe respekt të ndërsjellë me çdo shtet. Ne po punojmë vërtet për të rritur sigurinë, veçanërisht në rajonin e Lindjes së Mesme. Ne presim që autoritetet izraelite do ta respektojnë Ukrainën dhe do të përmbahen nga veprimet që dëmtojnë marrëdhëniet tona dypalëshe", tha për fund Zelensky. /Telegrafi/


