Zeka i Feronikelit
Edhe pse kjo skuadër ka nisur fazën përgatitore, siç duket ende nuk ka përfunduar me prurjen futbollisteve të rinj në ekip. Pjesë e kësaj skuadre është bërë edhe futbollisti gjakovar, Mevlan Zeka. Ai ka deklaruar se në stinorin e ri do të jetë pjesë e ekipi të Feronikelit.
“Drejtuesit e kësaj skuadre më kanë ofruar kushte shumë të mira. Nesër do të nënshkruaj kontratë njëvjeçare me këtë klub. Besoj që do të arrij të adaptohem dhe të tregoj formë të lartë. Feronikeli edicionin e kaluar është shpallur kampion, si dhe ka fituar Digital Kupën e Kosovës, andaj shpresoj që këtë sukses do ta përsërisim edhe këtë sezon të ri. Sot kam qenë pjesë e stërvitjeve dhe kam kaluar shumë mirë me bashkëlojtarët. Do të mundohem të jap maksimumin dhe së bashku me ekipin të ‘korrim’ sa më shumë suksese”, ka thënë për KosovaLive, sulmuesi Zeka.
Nuk janë vetëm klubet kosovare që ishin të interesuar për shërbimet e sulmuesit gjakovar. Futbollisti Zeka ka thënë se ka pasur oferta edhe nga Kampionati shqiptar.
“Kam marr shumë oferta nga klube të ndryshme. Ekipi i Dritës nga Gjilani më ka kontaktuar, por nuk kisha mundësi të jem pjesë e tyre. Po ashtu edhe nga kampionati shqiptar kisha oferta përkatësisht nga Vllaznia e Shkodrës, por më në fund vendosa të jem pjesë e skuadrës kampione”, ka theksuar ish- sulmuesi i Vëllaznimit.
Futbollisti Mevlan Zeka nuk është përforcimi i vetëm i bërë këto ditë nga klubi i Feronikelit. Lojtarët Flamur Neziri dhe Ibrahim Peci janë transferët e rinj në këtë skuadër.


