Zbulohet kokainë dhe marihuanë në Fushë Kosovë, policia ndalon një person
Policia e Kosovës ka ndërmarrë dy aksione të ndara në Fushë Kosovë, ku ka ndaluar një person dhe ka sekuestruar sasi të konsiderueshme substancash të dyshuara narkotike.
Në rastin e parë, që ka ndodhur të mërkurën rreth orës 14:12 në rrugën “Fehmi Lladrovci”, policia ka ndaluar një mashkull kosovar, tek i cili gjatë kontrollit është gjetur rreth 4.72 gram substancë e dyshuar marihuanë.
I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt pas përfundimit të veprimeve policore.
Ndërkohë, në një operacion të veçantë të zhvilluar një ditë më parë, më 28 tetor, në një banesë në rrugën “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë, policia ka zbuluar dhe konfiskuar rreth 1 kilogram substancë të dyshuar narkotike kokainë.
Sipas raportit të Policisë, gjatë kontrollit në banesë është gjetur një kasafortë, brenda së cilës është gjetur droga e dyshuar.
Hetimet për këtë rast vazhdojnë nën drejtimin e prokurorit kompetent, për të identifikuar personat e përfshirë dhe për të zbuluar rrjetin e mundshëm të shpërndarjes së substancave narkotike. /Telegrafi/


