Ylli i ri kosovar, Dren Hoxha i bashkohet Aalenit (Video)
Mesfushori i talentuar kosovar, ishte pjesë e Schalke 04, ku shumicën e ndeshjeve i kishte luajtur me ekipin e dytë por në fazën përgatitore dhe në ndeshjet miqësore aktivizohej me skuadrën e parë të Schalkes.
Kosovari i talentuar në stinorin e fundit kishte probleme me lëndime dhe tani është larguar nga Schalke për të nënshkruar kontratë një vjeçare me skuadrën nga Bundesliga 3, Aalen.
“Dreni na ka bindur me paraqitjet e tij që ka pasur dhe ne jemi të kënaqur që ai ka nënshkruar kontratë me Aalen”, tha drejtori i klubit Markus Thiele.
“Skuadra jonë bëri një investim të mirë me Hoxhën pasi do të na ndihmojë për tu rikthyer në Bundesliga 2”, tha Thiele.
Ndërkohë në një prononcim për Telegrafin, Hoxha tha se është i lumtur me aventurën e tij të re.
“Kam pasur disa oferta tjera, por ka qenë klubi dhe trajneri që më kanë kërkuar me ngulm dhe vendosa të nënshkruaj për Aalen”.
“Shpresoj që mos të kem probleme me lëndime si në stinorin e fundit dhe natyrisht të jap më të mirën që t’i ndihmoj klubit të ngjitet në Bundesliga 2”, tha Hoxha për Telegrafin.
Lojtari kishte dy oferta nga Bundesliga 2 gjermane dhe dy të tjera nga elita e futbollit zviceran po zgjodhi Aalenin për tu ngritur edhe më shumë në karrierë.
Mesfushori 21-vjeçar te skuadra e tij e re do ta bartë numrin nëntë në fanellë, ndërsa pozita e tij e preferuar është mesfushor ofensivë. /Telegrafi/
Goli i Dren Hoxhës me skuadrën e parë të Schalkes në miqësore ndaj Hansa Rostock


