Ylli i Man Cityt drejt largimit përkundër dëshirës së Pep Guardiolas
Sipas “Manchester Evening News”, Bernardo Silva pritet të largohet nga Manchester City si lojtar i lirë në verë, pavarësisht dëshirës së Pep Guardiolës për ta mbajtur atë në skuadër.
Duke folur pas fitores ndaj Newcastle, trajneri i Cityt e bëri të qartë se dëshiron ta mbajë Silvën për aq kohë sa të jetë e mundur në klub.
“Ne duam ta mbajmë Bernardon këtu sa më gjatë që të jetë e mundur”, kishte deklaruar Guardiola pas ndeshjes.
Megjithatë, raportimi thekson se Guardiola është i vetëdijshëm për dëshirën e mesfushorit portugez për t’u larguar në fund të sezonit.
Bernardo Silva kishte folur më herët gjatë këtij sezoni për të ardhmen e tij, duke pranuar se vendimi tashmë është marrë, por pa dhënë detaje.
“Vendimin e kam marrë, por nuk është momenti për ta zbuluar”, ishte shprehur Silva.
Nëse ky largim konfirmohet, Manchester City do të humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të epokës së Guardiolës, ndërsa e ardhmja e portugezit pritet të jetë një nga temat më të diskutuara të merkatos verore./Telegrafi


