Please enter at least 3 characters.

Yan Diomande bind në stërvitje, stafi i Real Madridit i ‘dashuruar’ me yllin e Bregut të Fildishtë

Stafi teknik i Real Madridit ka mbetur shumë i impresionuar nga ditët e para të Yan Diomandes në klub, raporton mediumi spanjoll ESPN.

19-vjeçari nga Bregu i Fildishtë së fundmi kompletoi transferimin nga RB Leipzig te Real Madridi për një shumë të garantuar prej 125 milionë eurosh, ndërsa marrëveshja mund të arrijë deri në 140 milionë euro përmes bonuseve të lidhura me paraqitjet e tij.

Edhe pse Diomande ende nuk ka debutuar me Real Madridin në fazën përgatitore, anësori raportohet se ka impresionuar në Valdebebas me gjendjen e tij të jashtëzakonshme fizike, shpejtësinë shpërthyese dhe aftësitë e tij teknike.

Megjithatë, 19-vjeçari nuk e ka përfunduar ende një fazë të plotë përgatitore me skuadrën e re. Diomande iu bashkua Real Madridit pasi përfaqësoi Bregun e Fildishtë në Kupën e Botës dhe për këtë arsye nuk ishte konsideruar i gatshëm për të luajtur kundër Ferencvarosit apo Deportivo La Corunas.

Pavarësisht mungesës së debutimit, paraqitjet e tij në stërvitje kanë mjaftuar për t'i bindur drejtuesit e klubit madrilen për potencialin e madh që posedon.

Diomande vjen në Madrid pas një sezoni të shkëlqyer me RB Leipzigun, ku realizoi 12 gola dhe dhuroi tetë asistime në Bundesligë.

Transferimi i tij ishte shtyrë fuqishëm edhe nga trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, i cili e konsideron sulmuesin anësor si një pjesë të rëndësishme të projektit të tij për të ardhmen.

Tani, tifozët e Real Madridit janë në pritje të debutimit të Diomandes, i cili shihet si një prej investimeve më të mëdha të klubit dhe një prej talenteve që pritet të ketë rol të rëndësishëm në vitet e ardhshme./Telegrafi/