Xabi Alonso optimist për rikthimin e Mbappes ndaj Juventusit
Ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe, ende nuk ka debutuar në Kupën e Botës për Klube, por Xabi Alonso është ‘optimist’ për rikthimin e sulmuesit francez ndaj Juventusit të martën.
Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, është i bindur se Mbappe do të jetë në dispozicion për paraqitjen e tij të parë në Kupën e Botës për Klube të martën, më 1 korrik, kur madrilenët do të përballen me Juventusin në fazën e 1/16-ave.
Mbappe nuk ka luajtur ende në këtë kompeticion, pasi javën e kaluar u shtrua në spital për shkak të gastroenteritit.
Ndërkohë, Vinicius Junior ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist në tre ndeshje të zhvilluara në këtë turne.
Xabi Alonso u pyet nëse Mbappe mund të bashkohet me brazilianin në repartin ofensiv të Real Madridit në ndeshjen e radhës.
“Ata mund ta bëjnë ,Vini nga krahët, Kylian nga qendra. Nuk e pengojnë njëri-tjetrin, funksionon, sepse ka cilësi individuale, por na duhet që ekipi të funksionojë si tërësi. Të gjithë bashkë, jo një, një, një,”.
“E duam Mbappen përsëri me ne dhe presim që ai të jetë në formën më të mirë të mundshme”.
“Nuk mund të them me siguri që do të luajë, por jemi optimistë për të martën”, ka thënë Alonso.
Real Madrid përfundoi në vendin e parë në grupin H, me shtatë pikë, ndërsa Juventusi përfundoi i dyti në grupin G, me gjashtë sosh./Telegrafi/


