Please enter at least 3 characters.

Xabi Alonso dëshiron transferimin e yllit të Real Madridit nëse merr drejtimin e Chelseat

Chelsea vazhdon punën për të zgjedhur trajnerin e ardhshëm, një vendim që pritet ta përcaktojë drejtimin sportiv të klubit në vitet në vijim. Edhe pse ende nuk ka një vendim përfundimtar, emri që ka fituar më së shumti terren javët e fundit është ai i Xabi Alonsos.

Trajneri bask, i cili mbetet një nga trajnerët e rinj më të vlerësuar në futbollin europian, përputhet me profilin që po kërkon klubi londinez.

Për më tepër, një ardhje e mundshme e tij mund të sjellë edhe një transferim me ndikim të madh: Arda Guler.

Në “Stamford Bridge” besohet se Xabi Alonso i ka cilësitë ideale për ta udhëhequr një projekt ambicioz, por që ka nevojë urgjente për stabilitet. Aftësitë e tij taktike, personaliteti dhe përkushtimi ndaj futbollit modern vlerësohen lart nga drejtuesit e Chelseat.

Synimi i klubit është të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe me identitet të qartë, ndërsa Alonso shihet si figura e duhur për ta udhëhequr këtë tranzicion. Po ashtu, trajneri spanjoll raportohet se ka marrëdhënie shumë të mira me disa prej talenteve të rinj të futbollit europian, gjë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në lëvizjet e ardhshme në afatin kalimtar.

Një nga emrat që lidhet me ardhjen e mundshme të Xabi Alonsos në Londër është ai i Arda Guler.

Reprezentuesi i ri turk ishte ndër lojtarët më të pëlqyer nga trajneri gjatë periudhës së tij të shkurtër te Real Madridi, sipas raportimeve.

Real Madridi nuk pritet ta bëjë të lehtë largimin e Gulerit, por gjithashtu nuk e konsideron atë krejtësisht “të paprekshëm” në afatin kalimtar. Sipas disa raportimeve, një ofertë pranë 100 milionë eurove mund ta hapë seriozisht derën për negociata.

Shuma është shumë e lartë, por e përballueshme për një Chelsea që është mësuar të bëjë investime të mëdha në treg. Në klub besohet se talenti i lojtarit e justifikon plotësisht një përpjekje të tillë financiare./Telegrafi/