Vuçiq nuk e përballon humbjen e Serbisë ndaj Shqipërisë, mundohet të gjejë fajtorin jashtë fushës
Kombëtarja shqiptare arriti një fitore të madhe dhe historike ndaj Serbisë në stadiumin “Dubocica” në Leskovac.
Kuqezinjtë e trajnerit Silvinjo luftuan deri në fund për të mbrojtur rezultatin e arritur falë supergolit të Rey Manajt në fundin e pjesës së parë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç duket nuk po mund të përballojë humbjen e Serbisë.
Ai ka fajësuar sërish “bllokadat”, duke pretenduar se ato kanë ndërhyrë te lojtarët gjatë pushimit të tyre në Nish, një ditë para ndeshjes.
Në një deklaratë për media, Vuçiq shtoi se disa qindra persona janë mbledhur para hotelit ku po qëndronte përfaqësuesja serbe, duke prishur qetësinë e futbollistëve.
“A doni t’ju kujtoj si e përcollëm ekipin kombëtar dje? Në Nish, në orën 6-7, kur djemtë po pushojnë për ndeshjen, dyqind, treqind njerëz të humbur u mblodhën pikërisht para hotelit të ekipit tonë kombëtar. Ata menduan se shqiptarët kishin ardhur t’i fishkëllenin. Ata nuk ishin shqiptarë, por bllokues, sepse bllokuesve nuk u pëlqeu fakti që 5-6 mijë njerëz u mblodhën në anën tjetër të qytetit dhe nuk i shqetësuan futbollistët tanë”, deklaroi Vuçiq.
Deklarata e tij ka shkaktuar reagime të menjëhershme në opinionin serb.
Sociologu Jovo Bakiq e përshkroi reagimin e presidentit si “tragjikisht të parashikueshëm”, duke shtuar me ironi se “fatkeqësia është e parashikueshme në atë masë sa shkakton një buzëqeshje keqardhjeje”.
Ndërkaq, humoristi Marko Drazhiq nga “News Net” ironizoi me Vuçiqin, duke thënë se presidenti tashmë ndodhet në një pozitë ku mund të thotë çdo gjë që i vjen ndërmend.
“Nuk do të habitesha nëse ai do të shkonte një hap më tej, nëse do të thoshte se studentët krijuan taktika të këqija për këtë ndeshje, se koret e qytetarëve nuk e kontrolluan mirë topin dhe se Misha Bachulov humbi një shans 100%”, tha ai.
Reagimi më i ashpër erdhi nga ish-basketbollisti dhe aktivisti Vladimir Stimac, i cili e quajti Vuçiqin “shkatërrues dhe tradhtar të vendit”.
“Ai përpiqet gjithmonë t’i shmanget përgjegjësisë dhe i përfshiu gishtat e tij të korruptuar dhe kriminalë kudo — nga basketbolli te futbolli dhe shumë sporte të tjera. Gjendja e sportit tonë është pasqyra e shtetit dhe shoqërisë sonë”, theksoi Stimac, duke shtuar se “largimi i tij nga pushteti është çështje mbijetese për vendin”.
Kritikave iu bashkua edhe Mirko Poledica, anëtar i Asamblesë së Shoqatës së Futbollit të Serbisë, i cili tha se “të thuash gënjeshtra është një dobësi e vogël, por të jetosh në mënyrë të rreme është dështim i vërtetë”.
“Fajtori i vetëm për disfatën e Serbisë është politika shtetërore që u siguroi shqiptarëve kushte të përsosura në Leskovc, për të na mposhtur dhe poshtëruar në vendin e tyre”, theksoi ai, raporton Danas.
Ndeshja e radhës për Shqipërinë do të jetë më 14 tetor ndaj Jordanisë. Ndeshja miqësore do të luhet në “Air Albania”, në orën 19:00./Telegrafi/


