Please enter at least 3 characters.

Vrasja e 80-vjeçares në Prizren, Haxhiu: Mjaft më me vrasjen dhe dhunën ndaj grave

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje 80-vjeçare në Prizren, duke kërkuar hetim të plotë dhe të shpejtë të rastit.

Haxhiu ka thënë se vrasja e gruas së moshuar nuk mund të trajtohet si rast i izoluar, duke marrë parasysh se vetëm dy ditë më parë një tjetër grua ishte vrarë.

“Më tronditi lajmi për vrasjen e një gruaje 80-vjeçare në Prizren. Vetëm dy ditë më parë, një tjetër grua u vra, ndaj këto nuk mund të trajtohen si raste të izoluara”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë rastet deri në fund dhe që autorët të marrin dënimin më të ashpër të paraparë me ligj.

“Çdo rast duhet të zbardhet deri në fund, por po aq e rëndësishme është që dhuna të njihet dhe të ndalet para se të përfundojë në vrasje”, është shprehur ajo.

Haxhiu ka kërkuar gjithashtu nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente dhe konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e tyre.

Në fund, ajo i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerës. /Telegrafi/