Voca provohet në Sllovaki
Mesfushori i Trepçës, Liridon Voca, në janar të vitit 2015 do të udhëtojë për prova jashtë vendit. Ai do të jetë në Trencin të Sllovakisë në kampin ‘Borçice’, që zgjon kureshtjen dhe interesimin e shumë menaxherëve dhe skautëve të klubeve të ndryshme evropiane. Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë futbollisti, i cili ka thënë se në janar do të jetë në Sllovaki.
“Po, është e vërtetë, në muajin janar do të udhëtoj për në Sllovaki përkatësisht në Trencin, në kampin ‘Borçice’ ku edhe do t’i kem provat”, u shpreh Voca për ‘Sport Plus’. Ai është shumë i kënaqur që do të ketë mundësinë të bëjë prova jashtë vendit dhe shpreson që t’i kalojë ato.
“Normalisht që për çdo futbollist është e rëndësishme që të këtë mundësi të provohet jashtë vendit. Shpresoj që të kem fat dhe të arrij që t’i kaloj këto prova. Jam përgatitur qe një kohë të gjatë për të qenë sa më i suksesshëm atje”, tha mesfushori i ‘Xehetarëve’, Liridon Voca.
Këtij të fundit, provat në Sllovaki ia mundësuan Muhamet Sylejmani e Agim Saraçi, të cilët kanë ndërmjetësuat me klubet atje që Voca të mund të provohet. Vocës tashmë i janë hapur dyert për t’u bërë pjesë e ndonjë skuadre evropiane. /Telegrafi/


